Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe Koordinatorja Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, ka dënuar fuqishëm vrasjen e një gruaje 25-vjeçare në Kërvasari të Malishevës.
Përmes një reagimi publik, Gërvalla ka kërkuar nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë që rasti të hetohet në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe pa kompromis, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Nuk është konflikt familjar. Nuk është ‘punë e shtëpisë’. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se vrasja është një tjetër alarm i rëndë për shoqërinë dhe institucionet, duke nënvizuar nevojën për parandalimin e dhunës para se ajo të përshkallëzohet në pasoja të pakthyeshme.
“Një grua është vrarë. Përballë dhunës ndaj grave nuk mund të ketë heshtje, arsyetime apo indiferencë. Ka vetëm një përgjigje: drejtësi dhe vetëm drejtësi dhe zero tolerancë ndaj dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, ka thënë ajo.
Gërvalla u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që rastin ta trajtojnë me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar.
Në fund të reagimit, ajo ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e viktimës, duke thënë se është me ta në këto momente të rënda.