Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se janë zbuluar mbetje mortore edhe në varrezën e tretë, e cila ndodhet pranë dy varrezave masive të zbuluara ditë më parë.
Sipas Gërvallës, zbulimi është rezultat i një pune intensive të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësinë Ligjore, njësive për hetimin e krimeve të luftës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se kjo gjetje dëshmon edhe një herë krimet e kryera nga shteti serb gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo gjetje dëshmon edhe një herë për krimet e kryera nga shteti gjenocidal serb, ku mijëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë, u zhdukën dhe u dhunuan, ndërsa afro një milion të tjerë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka theksuar se çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, duke shtuar se përpjekjet për fshehjen e viktimave dhe zhdukjen e gjurmëve të krimit kanë zgjatur dhimbjen e familjeve dhe e kanë bërë kërkimin e së vërtetës një obligim që vazhdon edhe sot.
Ajo ka ritheksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë.
“Republika e Kosovës nuk do të ndalet së kërkuari derisa të zbardhet fati i personit të fundit të zhdukur me dhunë dhe do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve dhe profesionistëve të angazhuar në këtë proces”, ka deklaruar Gërvalla.
Në fund, ministrja në detyrë ka theksuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, drejtësi pa përgjegjësi dhe as harresë përballë krimeve të kryera gjatë luftës.