Gërxhaliu paralajmëron ulje të çmimeve këtë pranverë: Stabiliteti politik i domosdoshëm

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 12:04 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se janë disa indikatorë optimistë se në pranverë të këtij viti pritet që të fillojë rimëkëmbja ekonomike, pas dy vitesh krizë globale, e cila në Kosovë u ndje në mënyrë më të theksuar.

Gërxhaliu, në një bisedë për Ekonomia Online, theksoi se nga fillimi i prillit të këtij viti pritet që të ketë trende të rënies së inflacionit e po ashtu edhe rënie të çmimeve, duke numëruar një varg faktorësh që do të ndikojnë.

“Besoj që duhet të kemi optimizëm për vitin 2023 sepse janë disa indikatorë që sjellin optimizëm, që do të ketë lëvizje pozitive. Në rend të parë, pas ngritjes së çmimit të importit të naftës ruse në Evropë është një frymarrje më e lehtë. Në rend të dytë, kushtet klimatike dhe nxehtësia që e ka kapluar Evropën i ka shtuar rezervat e gazit që nuk janë shfrytëzuar dhe ky është një produkt strategjik që ka ndikuar në standardin e evropianëve”.

“E treta është kostoja e shpenzimeve të transportit. Derisa në vitin e kaluar për një konteiner nga Azia, është paguar afro 20 mijë dollarë, sot paguhen vetëm 3 mijë dollarë. Dhe në këtë drejtim besoj që nga marsi apo fillimit i prillit të vitit 2023 do të kemi rënie apo trend rëniesh edhe të inflacionit, por besoj që edhe çmimeve”, tha ai.

“E vërteta është që psikologjia e tregtisë së jashtme na mëson që çmimet rriten me shpejtësi, mirëpo shumë ma ngadalë kthehen në stadin fillestar. Por, definitivisht pranvera e vitit 2023, përkundër asaj që ekspertët e parashohin që do të ketë një recesion në Evropë, besoj që do të jetë fillimi i një rimëkëmbje ekonomike”.

Gërxhaliu potencoi se garanci për stabilitet ekonomik në Kosovë duhet të jetë edhe stabiliteti politik, duke e quajtur të domosdoshëm, raporton EO.

“Duhet të kuptohet që inflacioni nuk e shkakton qeveria, por duhet të gjej masa për të ulur normën e inflacionit në Kosovë dhe të çmimeve. Në këtë drejtim Kosova po hyn me krizë në këtë vit dhe besoj se në qoftë se pranohet ky realitet do të jetë më e lehtë për ta luftuar inflacionin”.

“E vërteta është që do të ketë sfida të shumta, mirëpo garanci e stabilitetit ekonomik në Kosovë duhet të jetë stabiliteti politik sepse pa një stabilitet politik do të jetë shumë e vështirë të ketë prognoza pozitive”,  tha ai.

Të ngjashme