Gilberto Mora ka shkruar emrin e tij në historinë e Kupës së Botës, pasi u bë lojtari më i ri që ka startuar ndonjëherë një ndeshje të Botërorit me fanellën e Meksikës.
Talenti meksikan e arriti këtë moment në moshën 17 vjeç e 253 ditë, duke hyrë menjëherë në listën e emrave më të rinj që kanë nisur një ndeshje në skenën më të madhe të futbollit.
Megjithatë, në rangun historik të Kupës së Botës, Mora renditet në vendin e gjashtë, në një listë ku përpara tij qëndrojnë disa emra shumë interesantë.
Rekordin absolut e mban Norman Whiteside i Irlandës së Veriut, i cili startoi në moshën 17 vjeç e 41 ditë, ndërsa pas tij vijnë nigeriani Femi Opabunmi me 17 vjeç e 101 ditë dhe kamerunasi Salomon Olembe me 17 vjeç e 191 ditë.
Në këtë listë legjendare bën pjesë edhe Pele, i cili e nisi një ndeshje të Botërorit me Brazilin në moshën 17 vjeç e 235 ditë, ndërsa para Moras renditet edhe një tjetër nigerian, Bartholomeë Ogbeche, me 17 vjeç e 244 ditë.
Pas meksikanit vjen një tjetër emër i madh i futbollit kamerunas, Rigobert Song, i cili kishte startuar në Kupën e Botës në moshën 17 vjeç e 354 ditë.
Pra, Gilberto Mora jo vetëm që ka vendosur një rekord të ri për Meksikën, por është futur edhe në një elitë shumë të rrallë të historisë së Kupës së Botës – një listë ku mosha është e vogël, por pesha e momentit është gjigante.