Gjashtë muaj pa asnjë lëvizje për Hekurudhën e Durrësit

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 20:38 | Nga Ekonomia Online

Studimi i fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës nuk është as gati.

Projekti që e lidh Portin e Durrësit me Kosovën, për të cilin u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi mes Avdullah Hotit e Edi Ramës, ende është në pikën zero.

Në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë thonë se janë gati për këtë, por jo edhe pala tjetër.

“Kosova tani ka kryer të gjitha procedurat formale të brendshme sipas Legjislacionit në fuqi sa i përket ratifikimit të këtij memorandumi, respektivisht për këtë është njoftuar edh pala shqiptare, mirëpo sipas informatave zyrtare pala shqiptare ende nuk i ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore te ratifikimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës, njofton Klan Kosova.

Kurse nga Qeveria në Tiranë nuk kthyen përgjigje për televizionin, deri të premten.

Anëtari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gëzim Qerimi, thotë se terreni në Kosovë është shumë më i përshtatshëm për jetësimin e kësaj hekurudhe. Por kostoja është e papërballueshme pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Por thotë se një hekurudhë e tillë do të sillte përfitime gjigante ekonomike në gjithë rajonin.

Linja hekurudhore Prishtinë-Merdare është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.

Por si projekt, është diskutuar edhe më herët, në Procesin e Berlinit, që ishte inicuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Të ngjashme