Gjenerata e re e kadetëve të FSK-së solemnisht dhanë betimin

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 16:08 | Nga

Në një ceremoni zyrtare, sot në kazermën ,,Adem Jashari’’ të Komandës së Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, kadetët e rinj, që do të studiojnë në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, dhanë betimin e kadetit.

Në këtë ditë të veçantë të kadetëve  të  gjeneratës  2022, ishin të pranishëm: ministri i FSK-s z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFT-së gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Irfete Spahiu, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për FSK-në gjeneral brigade Uwe Becker, gjeneralë e oficerë të tjerë të FSK-së si dhe atashe e oficerë ndërkombëtarë.

Pas rreshtimit dhe intonimit të himnit shtetëror, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Irfete Spahiu pranoi raportin nga komandanti i Qendrës për Studime Universitare major Vegim Kelani, dhe të dy së bashku bënë revistën para kadetëve të 4 gjeneratave.

 Në fjalën  e tij të mbajtur me këtë rast, ministri Berisha  i përgëzoi kadetë e rinj për fillimin e vitit akademik dhe i uroi ata për betimin e kadetit. Ministri vlerësoi lart përzgjedhjen e tyre për t’i shërbyer vendit, duke ju thënë se ju do të kultivoni dhe do të ngrini edhe më lart vlerat e lirisë së vendit tonë.

,,Sot, në këtë ditë të veçantë për FSK-në, për kadetët e gjeneratës 2022 dhe familjet e tyre, ju  përgëzoj ju kadetë për përballimin e sfidave dhe për përzgjedhjen tuaj për të studiuar dhe  për të shërbyer në FSK. Vendimi juaj për t’u bërë pjesë e FSK-së është një vendim i drejtë sepse nuk ka mision më të shenjtë se sa t’i shërbejmë dhe të kontribuojmë për vlerat e lirisë dhe për sigurinë e vendit tonë’’.

Nga ana e tij, komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, foli për sistemin e shkollimit dhe përgatitjen e oficerëve të FSK-së, të cilët po shkollohen në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, si dhe për kualitetet që ata po bartin në detyrë gjatë shërbimit. Gjithashtu,  ai  vlerësoi lart edhe përgatitjen akademike të kadetëve në Universitetin Amerikan në Kosovë. Të dyja këto qendra studimi,  u shpreh ai,  kanë bërë që oficerët e rinj të Forcë së Sigurisë së Kosovës kudo në shkollime dhe trajnime jashtë vendit të jenë të dalluar.

Në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, këtë vit me konkurs të hapur janë përzgjedhur 16 kadetë, prej tyre dy kadetë të gjinisë femërore dhe një kadet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme