Gjermania pro punonjësve që i mungojnë tregut, gati ligjin e ri

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 14:28 | Nga

Një gjë e kanë të qartë autorët e projektligjit të ri për migracionin në Gjermani: Papunësia e ulët dhe popullsia në plakje e vendit ua bëjnë të vështirë sipërmarrjeve, që të gjejnë punonjës të kualifikuar për vendet vakante të punës.

Por edhe punësimi i shtetasve të BE-së nuk do të jetë i mjaftueshëm. Për këtë arsye, Gjermania duhet të jetë shumë më efektive në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta, thuhet në dokumentin përkatës – e me vende të treta nënkuptohen vendet jashtë BE-së.

Projektligji i formuluar tashmë në fund të muajit do t’i dorëzohet kabinetit të kancelares Merkel. Me insistimin e ministrit të brendshëm, Horst Seehofer synohet që të evitohet një “migrim në sistemet e sigurimit social”.

Ndryshe nga vendet si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia, qeveria gjermane duket se nuk do të aplikojë sistemin e pikëve. Në një sistem të tillë migrantët i nënshtrohen një verifikimi prej disa etapash, në të cilin vlerësohen kryesisht arsimimi, gjendja financiare, njohuritë e gjuhës dhe aftësitë për në tregun e punës.

Një sistem i tillë me pikë u propozua në vitin 2016 nga partia socialdemokrate dhe u mirëprit asokohe edhe nga partitë e tjera të qendrës së majtë. Por, në draftin aktual rekomandohet, që njerëzit të përzgjidhen mbi bazën e kritereve të sipërpërmendura, por jo me sistem pikësh.

Për njerëzit me nivel të lartë arsimimi Gjermania ka një ndër ligjet më të thjeshta të migracionit në mbarë botën. Njerëzve me kualifikim të nivelit të lartë Gjermania u jep një vizë edhe nëse nuk e kanë një vend konkret pune.

Por ajo që mungon në Gjermani, janë njerëzit me kualifikim të ashtuquajtur të nivelit të mesëm: infermiere, kujdestarë, ndihmës në kopshtet e fëmijëve dhe profesionistë si elektriçistë apo marangozë. Për të gjitha këto zanate duhet të ketë një kualifikim të zyrtarizuar.

Punë të tilla mbulojnë 60 përqind të tregut gjerman të punës. Deri tani ka pasur pengesa për njohjen e kualifikimeve të tilla. Shmangia e kësaj pengese, parashikohet në draft si “kyçi për një integrim të suksesshëm në tregun e punës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme