Gjilani organizon simpozium shkencor për veprën e heroit Idriz Seferi

Gjilan | 24 Mar 2017 | 14:34 | Nga

Nën organizimin e kryetarit Komunës, Lutfi Haziri, në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve “Ali Hadri”, të shtunën organizohet simpozium shkencor për heroin kombëtar, Idriz Seferi, në të cilin do të zbardhet një pjesë e madhe e veprimtarisë së tij jetësore në kuadër të lirisë së shqiptarëve.

Kryetari Haziri ka thënë se viti 2017 i kushtohet Idriz Seferit, një kolosi të madh të proceseve të rëndësishmë historike për mbarë shqiptarët, heroit i cili arriti deri në Shkup me Brigadën e tij, për të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë mbarëkombëtare si një luftëtar që gjithë jetën ja kushtoi luftës për liri.

“Vitin 2017 Komuna e Gjilanit, ia kushton heroit Idriz Seferi, përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, shkencore dhe ngjarjeve të ndryshme për të vazhduar kështu për çdo vit respektin e veçantë për të gjithë ata që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për Gjilanin dhe gjithë shqiptarët.

Idriz Seferi, kryengritësi më i madh i shqiptarëve, jo vetëm me prejardhje nga Gjilani dhe i Seferëve të grykës së Karadaku, por edhe i kryeqytetit të vjetër të shqiptarëve të Kosovës që është Shkupi.

Është njëri prej figurave më të mëdha të kombit që luftën për liri dhe bashkim të shqiptarëve e ka bërë deri në fund, së bashku edhe me shumë kryengritës të kohës nga Karadaku, Gollaku, e Moravës së Gjilanit dhe të Kosovës”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka theksuar se dy kryengritjet e tij janë më të mëdhatë që njihen në historinë kombëtare, duke shtuar se Gjilani ka për borxh të zbardhë angazhimin e tij luftarak për liri.

“Në shtator, në qendër të Gjilanit do të vendoset shtatorja e Idriz Seferit”

“Gjilani ia ka pasur për borxh, ndriçimin edhe më shumë të veprës së tij, të kryengritjes së tij dhe efektit të rezultateve në luftë për çlirimin e Shkupit dhe të Gjilanit e Anamoravës në përgjithësi.

Po ashtu, duhet të zbardhen edhe vuajtjet dhe dënimet e shumë shqiptarëve nëpër burgjet otomane, deri në Jemen dhe vendet e largëta Arabe, por edhe në territore të huaja, duke mos u kthyer kurrë në vendlindjen e tyre si pjesë e dënimit. Por, ajo çka është më e keqja është se Shqipëria e Londrës, për fat të keq, e ka lënë Kosovën jashtë kufijve të saj”, ka thënë Haziri.

“Prandaj, me kënaqësi presim pjesëmarrjen e historianëve dhe njohësve që përmes prezantimeve dhe punimeve të tyre të marrin pjesë në konferencën kushtuar këtij kolosi. Gjilani është bashkëorganizator së bashku me Lidhjen e Historianëve “Ali Hadri” në Gjilan, ndërsa gjatë aktivitetit kulturor, të “Flakës së Janarit 2017”, ne ia kemi kushtuar akademinë e “Flakës…” heroit Idriz Seferi”, ka shtuar kryetari Lutfi Haziri.

“Gjilani do të subvencionojnë të gjithë ata që zbardhin histori…”

Haziri ka bërë ftesë publike për të gjithë ata që shkruajnë libra, hulumtojnë e zbardhin histori, shkruajnë poezi, këngë, piktura, grafikë, skulpturë dhe gjithçka që lidhet me Idriz Seferin dhe bashkëluftëtarët e tij, t’ia kushtojnë këto vepra.Thuhet në komunikatën e komunës.

Ai tha se Komuna e Gjilanit ka caktuar çmim do të mbështesë materialisht çdo punim dhe çdo vepër, për të kulmuar më 28 Nëntor 2017 me vendosjen e shtatores së madhe të heroit Idriz Seferi në qendër të qytetit.

Kryetari Lutfi Haziri, ka thënë poashtu se është në pritje të Kuvendit të Komunës që të caktoj lokacionin e përshtatshëm për vendosjen e shtatores së Idriz Seferit, që do të jetë zona e parë e qytetit, së bashku edhe me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën që janë të vendosur në qendër të Gjilanit, për të cilët do të bëjnë zgjidhjen më të mirë të mundshme në hapësirën publike.

“Sivjet vendoset edhe busti i Reshat Ymerit”

Më tej, kryetari i Komunës së Gjilanit ka njoftuar se këtë vit do të vendoset edhe busti i Reshat Ymerit, më pas i Hamdi Berishës, Halim Oranës, dhe mbetet që në vitin e ardhshëm të vendoset edhe shtatorja e Mulla Idriz Gjilanit, ndërsa iniciativa është edhe për Ramiz Cërrnicën dhe për çdo hero, dëshmorë,  autoritet dhe veprimtarë.

Poashtu Haziri ka thënë se emrat tjerë të mëdhenjë të Gjilanit dhe Anamoravës do të theksohen dhe do t’u ngritet shtatore, buste dhe të tilla, “seps0e për Gjilanin kanë dhënë kontribut të jashtzakonëshëm edhe figura që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë tonë që është krenari për ne”.

“Komuna mbështetë ndërtimin e Shtëpisë Muze të Rexhep Malës në Hogosht”

“Komuna e Gjilanit do të mbështesë edhe ndërtimin e Shtëpisë Muze të Rexhep Malës, në Hogosht, që është iniciativë e hogoshtasve, kurse këtë vit ne do të renovojmë shtëpinë muze të Zija Shemsiut, në fshatin Përlepnicë, me mjete materiale të Komunës dhe të bashkveprimtarëve të Zijait nga Bern-i, që kanë grumbulluar mjete”, ka deklaruar kreu i gjilanasve.

Ndërkohë, Haziri ka informuar se këto nisma do të përfundojnë me shenjëzimin e shtëpive shkolla dhe shtëpive të rezistencës që në vitet e ’90-ta i kanë hapur dyert për të ofruar shkollën, shoqatën “Nënë Tereza”, për të ofruar ambulantat alternative dhe në fund edhe pranimin e refugjatëve gjatë asaj kohe që në një numër të madh ishin vendosur nga zonat e luftës, kryesisht nga Drenica.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme