Gjilani subvencionoi më shumë se 4 mijë fermerë

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 17:12 | Nga

Sektori i bujqësisë në Komunë e Gjilanit si fushë e punësimit është model për gjithë Kosovën. Andaj vetëm gjatë këtij viti Gjilani i ka subvencionuar më shumë se 4 mijë fermerë. kështu ka bërë të ditur drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, përmes një konference për media.

Ai ka theksuar se nga janari e deri më tani, projektet për sektorin e bujqësisë janë të pandalshme dhe që të gjitha në kuadër të zhvillimit të Gjilanit, që më së miri arrihet përmes investimit dhe përkushtimit në fushën e gjerë dhe mundësitë e mëdha që jep bujqësia.

Ramadani ka paralajmëruar, po ashtu, që projektet dhe programet për bujqësinë janë të vazhdueshme, raporton Ekonomia Online.

“Pranverën e kemi filluar me projektin e mjedrës ku janë përzgjedhur 39 përfitues me sipërfaqe prej 10 hektarë, në një vlerë financiare prej 60 mijë euro. Pastaj subvencionimi i mbjelljeve pranverore në vlerë prej rreth 15 mijë euro”, ka bërë të ditur Ramadani.

Më tej ai ka përmendur projektin e një rëndësie të veçantë, atë të ndërtimit të serrave, i cili kap një shifër prej mbi 23 mijë euro.

Drejtori Ramadani ka thënë se bashkëpunimi me donatorët vetëm në fushën e bujqësisë Gjilanit i ka sjellë mbi 100 mijë euro investime, duke nisur që nga mbështetja e 56 fermerëve me mekanizim bujqësor, prej organizatës gjermane “HELP”, pastaj “TIKA” me pajisje bujqësore, financimi i projekteve nga BE dhe Care International dhe shumë donatorë të tjerë, të cilët, janë partnerë të fuqishëm në rrugën e përbashkët të zhvillimit të bujqësisë.

“Projekti i mbjelljes së mjedrës, serrat, mini-gradet për fermerë, pajisjet bujqësore, bimët aromatike, centrifugat elektrike, makinat elektrike, mekanizimi bujqësor janë disa nga aktivitetet e përbashkëta të realizuara me donatorët dhe fermerët. Dhe kur i shtojmë kësaj angazhimin për korrje shirje, financimin e mbjelljeve pranveriore dhe atyre vjeshtore vlera rritet gjithnjë e më shumë”, ka shtuar drejtori Ramadani.

“Të gjithë sektorët në Komunën e Gjilanit janë potencial i fuqishëm i zhvillimit. Pemëtaria dhe perimtaria, mbeten ende mundësi të mëdha për fermerin gjilanas. Kapacitetet e vlerësuara përpunuese dhe prodhuese dëshmojnë se mjedra dhe rritja e sipërfaqeve me vishnje, janë mundësi të mëdha për bujkun e kësaj Komune, që me mbështetjen e USAID-it, kjo do të jetë më e lehtë dhe mundësi shumë e madhe për një ndryshim të gjendjes në këtë drejtim”, ka thënë në fjalën e tij Ramadani.

Ndryshe, të suksesshëm sipas drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, janë treguar edhe sektori i Pylltarisë dhe sektori i Inspeksionit për Bujqësi dhe Veterinari.

ramiz-ramadani

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme