Gjykata Kushtetuese nuk e vlerëson jokushtetuese pagesën e rrymës për serbët në veri

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e parashtruar nga deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Rekomandimeve për rastin e pagesës së 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në veri.

Kushtetuesja ka sqaruar se vendimi nuk përbën shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.

Kuvendi kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Sipas Kushtetueses vlerësim në këtë rast ka qenë vetëm kushtetutshmëria e aktit të kontestuar të Kuvendit më 6 maj të këtij viti.

Ndonëse Kushtetuesja ka thënë se ai akt ka rezultuar në dallim të trajtimit të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër komunat në veri, ajo ka shtuar se ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe është i arsyeshëm” dhe rrjedhimisht nuk rezulton me diskriminim.

“Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimin e plotë mund ta lexoni KËTU

Të ngjashme