Gjyqtari që liroi Pantiqin u emërua dje nënkryetar i Gjykatës në Prishtinë

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Mentor Bajraktari, gjyqtari i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili vendosi për lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi, është emëruar të martën nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pantiq është liruar sot nga paraburgimi me aktvendim të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kjo masë i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak raporton Paparaci. Vendimin për lirimin e Pantiqit e ka shpallur gjyqtari Mentor Bajraktari.

Bajraktari është akuzuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, për aktin e lirimit të Pantiqit.

“A m’tregon kush se si një gjyqtar normal arrinë me vlerësu se terroristi qenka më sigurt n’shpi se n’burg? Po me pas qenë n’Serbi i kish shqiptu masë ma t’randë se ky n’Kosovë”, ka shkruar sot Basha.

Mentor Bajraktari, të martën është emëruar nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Të ngjashme