Papa u dërgon 15 mijë akullore të burgosurve në Romë

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Papa Françesku u dërgoi të burgosurve 15.000 akullore për t’u freskuar gjatë njërës prej verave më të nxehta në histori të Italisë.

Akulloret u dërguan në duy burgje të Romës – “Regina Coeli”, në qendër të qytetit, dhe “Rebibia”, në periferi të kryeqytetit italian, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në një deklaratë, Vatikani tha se zyra e papës për bamirësi nuk ka shkuar në pushime këtë verë. Në vend të kësaj, vullnetarët e Vatikanit e kaluan kohën duke u përkushtuar në aktivitete të ndryshme, përfshirë vizitimin e të burgosurve.

Donacioni ishte pjesë e disa veprimeve bamirëse të bëra gjatë verës për t’iu dhënë shpresë mijëra njerëzve në burgjet e Romës, thuhet më tej në deklaratë.

Në qershor, rreth 20 të burgosur nga burgu “Rebibbia” u takuan me Papa Françeskun dhe iu bashkuan në një vizitë nëpër muzetë e Vatikanit.

Ndryshe, vera e këtij viti ka qenë një ndër më të nxehtat që janë regjistruar ndonjëherë në histori të Italisë. Temperatura në Sicili muajin e kaluar arriti në 48.8 gradë, që mund të jetë rekord për tërë Evropën.

Të ngjashme