Spanja rihap kufirin për 10,000 gjermanë si pjesë e një pilot-projekti për turizmin

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Spanja e ka rihapur kufirin për një grup të përzgjedhur të turistëve gjermanë si pjesë e një pilot-projekti që do t’i sjellë 10,000 persona në Ishujt Baleare për të parë se si mund të funksionojë turizmi masiv në kohën e pandemisë.

Dhjetëra gjermanë me maska në fytyrë pritën në radhë në Aeroportin e Dyseldorfit të hënën në mëngjes për t’u bërë pjesë e fluturimit drejt Palma de Majorkës, shkruan “Reuters”.

Hotelet do të kenë të drejtë ta shfrytëzojnë 50 për qind të kapacitetit dhe do të pajisen me kamera me rreze infra të kuqe në hyrje për t’ua matur temperaturën mysafirëve.

“Do të jetë më qetë se normalisht, por është ndjenjë e mirë që gjithçka po fillon përsëri, që mund të udhëtojmë përsëri”, tha një turist që kishte vendosur maskë në fytyrë.

Disa shtete evropiane i lehtësuan masat kufizuese të hënën pas rënies së numrit të rasteve të Coronavirusit.

Spanja, një nga vendet më të popullarizuara për turistët e huaj, filloi ta mbyllte turizmin ndërkombëtar pas shpalljes së gjendjes emergjente më 14 mars.

Megjithatë, qeveria është përballur me presion për rihapjen e sektorit që punëson rreth 12 për qind të tërë fuqisë punëtore të Spanjës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme