Grabitet “Viva Fresh Store” në Arbëri

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 19:48 | Nga

Persona të armatosur kanë grabitur mbrëmë dyqanin “Viva Fresh Store” në Arbëri. Nga kjo grabitje me maska e armë janë tmerruar punëtorët.

Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmë në lagjen “Arbëria” të Prishtinës. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur dyqanin “Viva Fresh Store”, i cili gjendet tek Kompleksi C3 i Trgtisë, afër ndërtesës së re të komunës së Prishtinës.

Policia e ka konfirmuar për “Politiko” këtë grabitje.

“Grabitja me armë ka ndodhur rreth orës 23:00”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Policia, sipas saj, po punon në zbardhjen e kësaj grabitjeje.

“Deri tash nuk ka të arrestuar por policia po vazhdon hetimet”, ka thënë ajo.

Banorët e kompleksit ku gjendet VIVA Fresh Store janë tronditur nga pamjet që kanë parë, rreth 4-5 persona me armë të gjata dhe me maska në fytyrë.

“Si në filma”, kështu e kanë përshkruar këtë grabitje punëtorët e tmerruar të këtij dyqani.

Nga banorët është thënë se grabitësit janë parë me një veturë Golf 2, por meqë kanë qenë me maska nuk kanë arritur të mësojnë më shumë për identitetin e tyre.

Kompleksi C3 është i vëzhguar me kamera të cilat janë vendosur nga vetë banorët, e prej të cilave Policia do të ketë mundësi të shoh sesi ka ndodhur kjo grabitje. Më herët në këtë kompleks ka ndodhur një zjarr vënie e qëllimshme ndaj një makine flakët e së cilës pastaj patën prëfshirë edhe disa makina që kishin qëlluar afër saj. Por pamjet e regjistruar nga kamerat patën bërë të mundur arrestimin e personit që kishte kryer këtë zjarrvënie.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme