Grand Slam Kazakistan/Përfundon gara për Akilin dhe Loriana Kukën

Prishtinë | 17 Qer 2023 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Përveç Laura Fazliut, e cila do të garojë për medaljen e bronztë, sot në Grand Prix të Kazakistanit morën pjesë edhe Akil Gjakova e Loriana Kuka, për të cilët ky turne veçse ka përfunduar.

Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, Akil Gjakova u ndal në raundin e parë të repesazhit nga xhudisti nga Kazakistani, Zhansay Smagulov.

Gjakova e nisi me fitore këtë garë, ku në raundin e parë triumfoi kundër rusit, Ayub Khazhaliev, ndërsa me fitore e vazhdoi edhe në raundin e dytë kundër xhudistit nga Azerbajxhani, Telman Valiyev. Gjakova më pas u ndal në çerekfinale, ku u mposht nga xhudisti nikoqir Askar Narkulov për ta vazhduar garën në repesazh, ku aty u mposht sërish nga një xhudist nikoqir, Zhansay Smagulov.

Në anën tjetër, në kuadër të kategorisë deri në 70 kilogramë, Loriana Kuka raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë u mposht nga holandezja, Kim Polling, me ç’rast edhe përfundoi gara për të.

Garën në Kazakistan do ta vazhdojë tani vetëm Laura Fazliu, e cila do të ndeshet për medaljen e bronztën me xhudisten ruse, Dali Liluashvili.

Të ngjashme