Guardian: Nëse zbulohet se Vuçiqi ishte i përfshirë në sulm, Serbia mund të sanksionohet

Prishtinë | 28 Sht 2023 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Gazeta britanike, “The Guardian” i kushtoi një artikull ngjarjes së kësaj jave në Kosovë, gjegjësisht në fshatin Banjskë, ku terroristët serbë vranë policin kosovar Afrim Bunjaku dhe plagosën dy të tjerë.

Ky medium raporton se si autoritetet në Prishtinë shfaqën një sërë armatimesh moderne që thanë se grupi terrorist po përdorte, duke përfshirë dy makina të blinduara të prodhimit serb dhe një granatëhedhës, së bashku me një dokument që tregonte se granatahedhësi, i bërë nga kompania e armëve Zastava, ishte furnizuar nga ushtria serbe.

Qeveria e Kosovës pohoi gjithashtu se lideri i grupit ishte një politikan serb i Kosovës, besnik ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiqit, dhe se një nga tre luftëtarët paraushtarakë të vrarë të dielën ishte ish-truproje e Aleksandar Vulinit, shefit të inteligjencës serbe i sanksionuar për korrupsion nga ShBA-ja në korrik.

“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria dhe policia e Serbisë”, tha për gazetën The Guardian, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla. “Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”.

Sveçla shtoi se ministria e tij kishte ndarë provat me ambasadat dhe agjencitë perëndimore.

“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se qëllimi përfundimtar ishte ndarja e vendit, raporton The Guardian.

Qeveria serbe ka mohuar përfshirjen me grupin e armatosur, por ka mbajtur një ditë zyrtare zie për tre të vdekurit.

Gazeta britanike tutje shkruan se Vuçiqi ka kërkuar të justifikojë veprimet e tyre duke pretenduar rrejshëm, në një takim me ambasadorin rus në Beograd, se qeveria e Kosovës po kryente spastrim etnik.

Autoritetet në Kosovë deklaruan se grupi terrorist drejtohej nga Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon politikën në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sveçla tha se shërbimi i inteligjencës së Kosovës besonte se Radoiçiqi, i cili është sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe, ishte plagosur dhe po shërohej në spitalin kryesor ushtarak në Beograd.

Administrata e presidentit amerikan Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj.

Nëse Vuçiqi zbulohet se ka qenë i përfshirë, raporton The Guardian, kjo mund të ndryshojë qasjen e ndërmarrë nga ShBA dhe BE ndaj negociatave Kosovë-Serbi, të cilët janë kritikuar nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut si të njëanshëm ndaj Beogradit. Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë.

“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar në punë për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës”, tha Sonja Biserko, presidentja e Helsinkit nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë”, tha Biserko. “Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”.

Në një dokument informues për BE-në, Qeveria e Kosovës tha se grupi prej dhjetëra personash të armatosur të maskuar hapën zjarr ndaj një patrulle rutinë të Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë afër kufirit serb.

Në përleshjet u vra një polic kosovar, si dhe tre anëtarë të grupit terrorist dhe disa të tjerë u plagosën. Grupi serb më pas u tërhoq me makina të blinduara në një manastir afër fshatit, duke çuar në një bllokim.

Përpara se policia kosovare të mund të merrte kontrollin e manastirit, tha Sveçla, disa nga grupi paraushtarak mundën të largoheshin dhe të kalonin në Serbi.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dënoi sulmin ndaj policisë kosovare dhe tha: “Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi hetimor transparent.

Blinken kërkoi “kthim në dialogun e lehtësuar nga BE”.

Edward P Joseph, ish-Zëvendës shefi i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha se nëse Beogradi qëndron pas grupit paraushtarak, ShBA-ja do të duhet ta rimendojë qasjen e saj ndaj rajonit.

“Çështja është se thirrjet për dialog janë boshe tani që e gjithë strategjia e ShBA-së – për të kultivuar Serbinë e Vuçiqit si “partner” – është hedhur në erë”, tha Joseph, tani një anëtar i lartë në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.

“Mohimet e njohurive të Vuçiqit janë po aq të besueshme sa politika iluzionare e ShBA-së ndaj Serbisë”, shtoi ai. /klankosova

Të ngjashme