Ish-deputeti i LDK-së, Parsi Guri, ka akuzuar PSD-në se po vepron në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, pas aksionit të zhvilluar nga kjo parti para zyrave të LDK-së në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Guri tha se PSD po sulmon opozitën në vend të pushtetit dhe e cilësoi këtë parti si “vegël” të Vetëvendosjes.
“Po shoh se dështimi në aksion simbolik i një të ashtuquajturës parti, pasiqë e cila nuk ka mujt me i siguru as numrin minimal të kandidatëve për listën e saj zgjedhore, domethënë garojnë me gjashtë deputetë, e kjo flet shumë për relevancën e tyre. Ashtu siç po e shihni edhe ju në vazhdimësi, ata në vend që të merren me të keqen e këtij vendi, në vend që të merren me pushtetin, ata i ka pagu pikërisht pushteti për me u marrë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për arsye që Lëvizjes Vetëvendosje është duke i pengu jashtëzakonisht shumë rritja e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se PSD është shndërruar në instrument politik të pushtetit.
“E ata po i përdorin të gjitha mjetet e të gjitha format, e të gjitha mënyrat për me e sulmu Lidhjen Demokratike të Kosovës, e njëra prej mjeteve të tyre, fatkeqësisht tretësore, është edhe PSD-ja, e cila është shndërru në vegël të Albin Kurtit, është shndërru në vegël të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Sipas Gurit, nuk ka shembull që një parti opozitare të merret me opozitën tjetër dhe jo me pushtetin.
“Askush në botë nuk ka ndonjë shembull që një parti opozitare, në vend që të merret me pushtetin, merret me partinë tjetër opozitare. Çdo ditë ne jemi duke u përballur me një propagandë nga ky, nga këta proksi të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e sulmu Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha mënyrat, duke përdorur sulme kibernetike, e duke përdorur propagandë, e të gjitha mjetet e tjera, me të vetmin qëllim që me sulmu Lidhjen Demokratike të Kosovës, për arsye që, jo atyre po, shefit të tyre po iu pengon Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.
Guri kërkoi nga PSD që të merret me pushtetin dhe ngriti disa akuza ndaj Vetëvendosjes.
“Para se me bë aksione para Lidhjes Demokratike të Kosovës, është mirë ata me na tregu kush e ka sulmu me i bë nder Kosovës. Nëse ata po thonë që opozitën e kemi përnjëmend, e jo për interesa të shtetit, nëse përnjëmend ia duan të mirën shtetit e punojnë për interesin e shtetit, është mirë atëherë me dalë e me na tregu kush e ka gjuajt me zollë Kuvendin e Kosovës. Ndoshta e marrin Albinin edhe shkojnë qaty ku ka dashtë me qenë, nëse e tregojnë që ai është përgjegjës. Po tutna që edhe këta shkojnë bashkë me të”, tha ai.
Ai përmendi edhe çështje tjera që, sipas tij, duhet të sqarohen.
“Duhet me tregu për depot e armatimit që ia ka gjetur policia. Prej kah i ka pasur burimet. Edhe vrasjes, vdekjes së mistershme të aktivistit të tyre Astrit Dehari, pastaj nëse përgjigjen për këto pyetje se besoj që ata e dinë, atëherë mujnë me bë aksione edhe para partive të tjera”, tha ai.
Lexo edhe:
