Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe me homologë të tij nga vende të ndryshme.
Në mesin e takimeve të shumta, guvernatori Mehmeti është takuar me drejtorin e Asocuar për shërbime financiare në Thesarin Amerikan, Paul Leonovich, dhe ekipin e tij, njoftohet në një komunikatë shtypi të BQK-së.
Me këtë rast, Mehmeti e informoi Lenovichin lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Republikës së Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar. Gjithashtu, guvernatori shprehu falënderimin për kontributin që ka dhënë ShBA-ja në ndërtimin e institucioneve të Kosovës; në veçanti shprehu mirënjohje për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së.
“Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e zhvilluara nga BQK-ja për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë për ta forcuar rolon e sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Leonovich e falënderoi guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin shumëvjeçar të Thesarit Amerikan me Kosovën, si dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës”, thuhet në njoftimin për medie.
Në vazhdën e takimeve, guvernatori Mehmeti është takuar edhe me zëvendësdrejtorin e FMN-së, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.
Zhang thuhet se e ka uruar Mehmeti për dekretimin e tij në pozitën e guvernatorit të BQK-së.
Në vazhdim të vizitës në ShBA, Mehmeti ka zhvilluar takime edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen; drejtoreshën Ekzekutive në Konstituencën tonë në FMN, Michaela Erbenova; me Misionin e FMN-së për Kosovë dhe përfaqësuesit e MCM-së (Monetary Capital Market), të kryesuar nga Paul Mathieu.
Krahas këtyre takimeve, Mehmeti zhvilloi takime edhe me Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore; Franc Godts, drejtor Ekzekutiv në konstiuencën tonë në Bankë Botërore etj.
Guvernatori Mehmeti mori pjesë edhe në takimet e konstituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është Republika e Kosovës.
Në disa nga takimet ka marrë pjesë dhe ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza.
Sipas njoftimit të BQK-së, në të gjitha këto takime u vlerësua lartë puna e BQK-së në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe u shpreh gatishmëria e FMN-së për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të BQK-së.