Hadar dhe Berisha kërkojnë mbështetjen e tifozëve: Jemi gati për këtë kampanjë

Prishtinë | 17 Kor 2023 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Trajneri Rami Hadar dhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, kanë folur në një konferencë për shtyp për ndeshjen ndaj Zvicrës, në kuadër të rrethit të tretë për parakualifikimet e Kampionatit Evropian, që do të mbahet në vitin e ardhshëm.

Hadar, i cili po e drejton për herë të parë Kosovën tregoi synimet për këtë kampanjë, raporton Klankosova.tv.

“Ne kemi bërë shumë punë gjatë dy javëve të fundit, nuk mund të ankohem për punën e lojtarëve, ata kanë bërë gjithçka mirë, duhet të fitojmë ndeshje në këto parakualifikime, ky është synimi i parë”, u shpreh Rami Hadar.

“Meqë jam këtu për tri vjet, jemi duke e përdorur këtë kampanjë për të instaluar filozofinë time të lojës, që do të na shërbejë në vitet në vijim”.

Ai u shpreh se me mbështetjen e tifozëve do të synojnë diçka më shumë.

“Kemi bërë shumë progres të mirë në dy javët e fundit, por s’kemi mbaruar ende, ndeshja kundër Shqipërisë, na shfaqi disa mangësi,  që duhet t’i mënjanojmë. Me mbështetjen e tifozëve shpresoj se mund të bëjmë diçka gjatë kësaj kampanje”,

Ndërkohë, kapiteni Berisha theksoi se janë të përgatitur për këto ndeshje dhe atë ndaj Zvicrës.

“Për këtë periudhë jemi përgatitur që shtatë muaj, jemi përgatitur maksimalisht, po besoj që jena gati dhe kemi me dhënë maksimumin. Për këtë periudhë s’kemi pasur lëndime, trajneri na ka jep një energji dhe një motivim shtesë, për me pasë ndeshje dhe sukses të lartë”, theksoi Berisha.

“Të mërkurën është një ndeshje e zjarrtë, dardanët kanë me ardhur për një fitore të madhe”.

“Jemi të motivuar për suksesin që kemi me bo. Jena gati dhe shpresoj që salla do të mbushet, do ta japim maksimumin”.

Kujtojmë, Kosova do të ballafaqohet me Zvicrën në sallën “Sezai Surroi”, të mërkurën duke filluar nga ora 20:45.

Të ngjashme