Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ajo kritikoi debatin parlamentar, duke e cilësuar si të pabazuar në fakte dhe shifra konkrete, ndërsa kërkoi të dhëna nga opozita për pretendimet e saj.
“Vërtet ky teatër i diskutimeve është për të keqardhje sepse unë si profesioniste që kam ardhur në sapo i kabinetin Kurti 1 dhe 2 dhe tani si deputete nuk po mund ta kuptoj këtë debat me sulme politike pa asnjë referencë konkrete. Unë po pyes ku janë faktet dhe ku janë shifrat nëse kemi biznese në ikje, nëse kemi investitorë në ikje e të tjerë. A mund të na sjellë opozita një referencë të qartë nëse numri i bizneseve vërtet është në rënie apo në rritje? Nëse ka një referencë për bizneset me pronarë të huaj a janë në rënie apo në rritje gjatë pesë viteve të fundit të qeverisjes Kurti 2? Sepse vetëm kështu e njoftojmë drejt publikun. Vetëm kështu kuptojmë nëse kjo seancë e thirrur nga PDK-ja ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit apo vërtet nuk ka këtë qëllim por ka qëllimin e prodhimit të narrativave politike. Të dhënat janë të qarta dhe të pakontestueshme. Unë po lexoj këtu. Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në periudhën 1 mars 2021 deri më 31 janar 2026 janë regjistruar 57,543 biznese të reja që përfaqëson një rritje prej 16.1% gjatë qeverisjes Kurti. Pra jo vetëm që bizneset po ikin, por ato po shtohen me këtë referencë sepse është një rritje në krahasim me periudhën mars 2015 – shkurt 2020 ku ishin pra më pak biznese të regjistruara“, tha ajo.
Hajdari shtoi se, sipas saj, edhe investimet e huaja dhe besimi i investitorëve janë rritur gjatë kësaj periudhe.
“Po ashtu bizneset me pronarë të huaj janë rritur në 5649 biznese që është një rritje prej 65.8%, sidomos investitorët e huaj nga vendet evropiane. Kjo nuk është rastësi, është një dëshmi e rritjes së besimit të investitorëve të huaj në ekonominë e vendit tonë, në qeverisjen tonë të mirë nga Lëvizja Vetëvendosje. Madje janë regjistruar edhe 858 biznese sa e di deri në përfundim të mandatit sa isha si ministre, por tash edhe më shumë që kjo më herët ishte edhe e pamundur. Ky progres nuk është vetëm në shifra por konfirmohet edhe në raportet e partnerëve ndërkombëtarë sidomos në organizata kredibile siç është Organizata për Bashkëpunim Ekonomik – për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik OECD, është raporti i progresit që tregon gjithë përpjekjet dhe punën me përkushtim të qeverisë Kurti në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes“, u shpreh Hajdari.