Hamiti: Me Kurtin kryeministër, Kosova po e humb argumentin me bashkësinë ndërkombëtare

Prishtinë | 18 Sht 2023 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë një reagim pas konferencës së kryeministrit, Albin Kurti të mbajtur të hënën e në të cilën foli për takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Hamiti ka thënë se Qeveria Kurti e ka humbur argumentin me perëndimin në raport me dialogun me Serbinë.

“Pse Qeveria ’më demokratike në Ballkanin Perëndimor’, siç po e quan veten kjo e jona, po e humb argumentin me Perëndimin demokratik e po e fiton regjimi më autokratik në rajonin tonë, Serbia?” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Qysh bëhet që kryeministri i Kosovës nuk po ia del t’i bindë miqtë dhe aleatët tanë për drejtësinë e politikave të Qeverisë së vet, më saktë për kursin që po e ndjek në dialogun me Serbinë? Nuk janë të mira, apo s’po di t’i paraqesë si të mira? Paradoksalisht, siç po thotë vetë Albin Kurti e po habitet: sa më konstruktiv e më kreativ që po bëhet në këtë proces dialogu, aq më keq për të, rrjedhimisht për pozitën e Kosovës! Ndërmjetësuesi i BE-së, Llajçaku – po thotë Kurti – po koordinohet me Vuçiqin, është në anën e Serbisë. Që i bjen: është kundër Kosovës!

Pse Qeveria ’më demokratike në Ballkanin Perëndimor’, siç po e quan veten kjo e jona, po e humb argumentin me Perëndimin demokratik e po e fiton regjimi më autokratik në rajonin tonë, Serbia?

Të përkujtojmë, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare. Serbia jo.

Me Albin Kurtin kryeministër, Kosova po e humb argumentin me bashkësinë ndërkombëtare.

Duke ofruar zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara kur ishte në opozitë – siç bëjnë popullistët kudo, jo rrallë me sukses – Albin Kurti i bindi votuesit te ne. Tash s’ka zgjidhje as për probleme të thjeshta, lëre më të ndërlikuara. Askë tjetër s’po e bind, siç po shihet.

Prandaj, jemi ku jemi: më keq se kurdoherë në marrëdhënie me botën.

Të ngjashme