Komuna e Hanit të Elezit ka filluar projektin për vendosjen numrave në të gjitha objektet e banimit,objektet afariste dhe objekte tjera.
Pas përmbylljes me sukses të projektit të vendosjes së tabelave të emërtimeve të rrugëve, në të gjitha fshatrat dhe vendbanimet e realizuar nga Komuna e Hanit të Elezit, Agjencia Kadastrale i Kosovës (AKK) dhe financuar nga Qeveria e Norvegjisë, nga sot në kuadër të këtij projekti do të vendosë edhe numrat në të gjitha objektet e banimit, objektet afariste dhe objekte tjera të përcaktuara me Udhëzimet Administrative.
Sipas memorandumit të nënshkruar me AKK-në vendosja e numrave të adresave do të realizohet sipas udhëzimeve të përgjithshme metodologjike në përputhje me Ligjin e Sistemit të Adresave dhe Udhëzimeve Administrative të zbatueshme.
E veçanta e këtij projekti është se zyrtarët e angazhuar do të shpërndajnë edhe formularët ku bashkësitë familjare pronarë të objekteve të banimit, objekteve afariste dhe objekteve tjera të përcaktuara me Udhëzimet Administrative, do t’i plotësojnë me shënimet personale në mënyrë që me këto shënime të plotësohen të dhënat e përgjithshme në Regjistrin e Gjendjes Civile.
Në mënyrë simbolike numri i parë i këtij projekti është vendosur në objektin e Komunës së Hanit të Elezit, ndërsa formulari i parë iu dorëzua kryetarit të Komunës, Rufki Suma.