Hapet Biblioteka e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Rama: Shenjë dashurie dhe shprese për të ardhmen e qytetit

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është bërë hapja zyrtare e Bibliotekës së Fëmijëve, një hapësirë e re e dedikuar leximit, edukimit dhe zhvillimit kulturor të fëmijëve të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e hapjes, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ideja e bibliotekës lidhet me përvojat personale dhe rëndësinë që leximi ka në formimin e fëmijëve.

“Unë e mbaj mend kur e kam takuar Kristalen më së pari. Gjëja e parë që më ka treguar është qysh ka kaluar shumë kohë në biblioteka, edhe ka lexuar libra, edhe aty ka mësuar, edhe i është hapur një horizont i ri. E kjo ka treguar pse faktikisht unë më së pari kam rënë në dashni në shkrimin e Kristales, e mbasandej e kam parë Kristalen (për t’u qartësuar, në vitin 2009). Kështu që kemi qenë fatlumë po ashtu që kemi jetuar në Londër dhe kemi pasur një numër të madh të bibliotekave të fëmijëve, ku edhe i ka çuar Kristalja fëmijët tanë. Edhe kanë mësuar, kanë lexuar, e kemi menduar: qysh mundemi me bërë diçka të tillë në Prishtinë?”, tha ai.

Sipas Ramës, biblioteka e re është edhe rikthim i një hapësire me kujtime dhe simbolikë për qytetin.

“Pra, libraria tash po kthehet me fokus te fëmijët tanë, te më të mirët tanë. Sepse fëmijët tanë janë të këtij vendi, i përkasin këtij vendi, kanë rëndësinë më të madhe në komunitetin tonë, edhe me fëmijët tanë së bashku po i bëjmë ëndrrat tona realitet. Kjo po ashtu është një tregim, një shenjë dashurie për gjeneratat e ardhshme, është shenjë dinjiteti për fëmijët tanë, është shenjë shprese për të ardhmen e qytetit tonë”, tha ai.

Në ceremoni, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se hapja e bibliotekës është më shumë se një investim fizik, duke e cilësuar atë si zotim për të ardhmen e fëmijëve.

“Ky moment përfaqëson më shumë sesa thjesht rihapjen e një hapësire fizike. Ai qëndron si një zotim i përbashkët i të gjithë neve për të investuar tek fëmijët, në arsim dhe në të ardhmen e Kosovës. Siç po thoshte edhe Presidentja, nuk ka armë më të mirë në botë sesa arsimi. Po citoj Kofi Annan-in. Ajo që e bën këtë moment edhe më domethënës është se ai pasqyrohet si një përpjekje kolektive.”,theksoi ai.

Ai shtoi se biblioteka do të ndikojë në zhvillimin intelektual dhe social të fëmijëve.

“Biblioteka e fëmijëve është një vend ku fëmijët zbulojnë gëzimin e leximit, zhvillojnë imagjinatën e tyre dhe ndërtojnë lidhje me të tjerët. Përtej librave, një hapësirë e tillë kontribuon në zhvillimin intelektual, social dhe emocional të fëmijëve. Ajo ofron një mjedis të sigurt dhe mikpritës ku inkurajohet kureshtja, ushqehet kreativiteti dhe mund të rritet vetëbesimi. Rikthimi i kësaj biblioteke pas dëmtimit ka të bëjë me rikthimin e mundësive, rikthimin e kureshtjes dhe rikthimin e ndjenjës së komunitetit për anëtarët më të rinj të shoqërisë. Luksemburgu ka qenë i lumtur të kontribuojë në këtë përpjekje. Ky kontribut plotëson punimet e rëndësishme infrastrukturore të realizuara nga Komuna e Prishtinës. Ky është një shembull i qartë se si partneritetet e fuqishme ndërmjet autoriteteve lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit më të gjerë mund të sjellin rezultate konkrete dhe domethënëse”, tha tutje ai.

Projekti për realizmin e kësaj biblioteke ishte iniciuar nga Kristale Ivezaj – Rama falënderoi asamblistët të cilët votuan për hapësirën që të kthehet në biblotekë.

“Tre vjet me pare, biblioteka ekzistonte vetem ne imagjinaten tone, ne biseda, skica, mesazhe te vona të natës nga një grup adhuruesish te librit dhe avokatësh të femijëve, të cilët besonin se fëmijët meritojnë më të mirën absolute. In një qytet ku më shumë se 63,100 njerëz janë nën moshën 17 vjeç, dhe 22,681 fëmije janë nën moshën 7 vjeç, ne thamë: mjaft më me mobilie të grisura, mjaft më me rafte të zbrazëta, mjaft më me fytyra femijësh pa lodra, mjaft me duke u perpjekur t’i kthejmë fëmijët tanë në klientë, mjaft më me mungesa, mjaft me me mangesi, mjaft mẽ me neglizhence-jo per femijét tane. Ne i thamë “po” largimit të telefonave dhe vendosjes së librave dhe letrave në duart e tyre, dhe rrethimit te tyre me bukuri, cilësi dhe paqe. Faleminderit shume anetarëve te asamblese se Kryeqytetit më 3 nëntor 2023. Ata votuan që hapësira lart të kthehej në një bibliotekë funksionale dhe të bëhej një bibliotekë ekskluzive për femije, pas viteve të tera neglizhence, mbylljeje dhe dyersh te kyçura”, u shpreh ajo.

“Biblioteka e Fëmijëve” do të funksionojë si të gjitha bibliotekat e tjera të qytetit të Prishtinës dhe të gjithë fëmijët e Prishtinës do të mund të huazojnë libra, të vijnë atje të lexojnë dhe të mbajnë punëtori të ndryshme.

Të ngjashme