Hapet Qendra e parë e Futbollit Kinetik, projekt për futbollin inteligjent nga Arsim Gojani

Prishtinë | 23 Qer 2022 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Parashikimi i situatës, vëmendja, kreativiteti, shpejtësia e veprimit dhe intelegjenca e lojës janë më se të domosdoshme në futbollin modern që një lojtar të jetë i kompletuar.

Tani, këto aftësi mund t’i përvetësojnë edhe futbollistët kosovarë në qendrën e parë të futbollit kinetik, të hapur nga ish-futbollisti i njohur gjakovar, tani trajneri Arsim Gojani.

Kjo qendër e futbollit kinetik me bazë në Gjakovë, e para në vend dhe në rajon, tashmë ka nisur punën intensive dhe stërvitjet në grupe të vogla

Futbollistët trajnohen nga një stafi i licencuar nga UEFA, teksa fokusi kryesor është te ushtrimet inovative, kreative dhe neucentrike, të cilat e rrisin nivelin teknik, shikimin e lojës dhe të intelegjencës te lojtarët.

Në një prononcim për gazetën, Arsim Gojani theksoi që kjo është një mundësi shumë e mirë që futbollistët të aftësohen maksimalisht.

“Është qendra e parë e futbollit kinetik, prandaj interesimi ka qenë mjaft i madh. Kemi filluar punën me grupe të ndara, teksa trajnimet bëhen nga një staf profesional dhe i trajnuar nga UEFA”, deklaroi fillimisht Gojani për Gazetën Olle.

“Në mënyrë gjenerale parashikimi i situatës, vëmendja, kreativiteti, shpejtësia e veprimit dhe inteligjenca e lojës janë më se të domosdoshme për të qenë futbollist i kompletuar në futbollin e sotëm dhe futbollin e së ardhmes. Për këtë arsye, kërkesat bëhen gjithnjë e më të mëdha për një futbollist që ka shpejtësinë e lartë të veprimit dhe aftësinë e lojës”.

“Puna që bëhet vetëm në shkollat dhe klubet e futbollit nuk është e mjaftueshme për t’u bërë lojtar kulminant në futbollin modern. Për këtë arsye kam menduar të fillojë këtë projekt që t’i aftësojmë me cilësitë më të larta të rinjtë tanë”, tha mes tjerash ai.

Kujtojmë që Arsim Gojani ka qenë një prej futbollistëve më të dalluar të gjeneratës së tij te Vëllaznimi. Ai ka djersitur edhe fanellën e klubit tjetër me traditë, Dritës së Gjilanit.

Të ngjashme