Marrëdhëniet bilaterale dhe miqësia e mirë që Kosova ka me shtetin e Iowa-s, janë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vlerësimi i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral Major Timothy Orr.
Sipas një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit me Gjeneralin Orr, Haradinaj e njoftoi atë për të arriturat dhe prioritet e Qeverisë së Kosovës, veçmas në fuqizimin dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për çka Kosova ka nevojë për ndihmën dhe asistencën e ShBA-së, raporton Ekonomia Online.
“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet tona bilaterale të fuqizohen në fusha të interesit të përbashkët dhe përvoja juaj do të na ndihmojë në avancimin e sektorëve të ndryshëm, veçmas në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, në kulturë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Gjeneralin Orr për rolin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, veçmas për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së.
“Ne kemi nevojë për storie suksesi, duke çuar përpara bashkëpunimin shumëvjeçar me shtetin e Iowa-s. Tani me ardhjen e delegacionit prej 60 anëtarësh nga ky vend nga institucione dhe profile të ndryshme, ne po e profilizojmë këtë bashkëpunim, duke i dhënë theks të veçantë fushës së arsimit dhe fushës ekonomike, krahas prezencës ushtarake”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga Gjenerali Orr vazhdimin e mbështetjes ushtarake në aksione të përbashkëta me FSK-në.
Ndërkaq, Gjenerali Orr tha se sa herë është për vizitë në Kosovë ndjehet mirë, duke e vlerësuar progresin e Kosovës në këtë dekadë të parë të pavarësisë së saj.
Ai gjithashtu falënderoi kryeministrin për pritjen e delegacionit nga Iowa dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Në takim ishte edhe Colleen Hyland, zëvendës shefe e Misionit të ShBA-së në Kosovë.
Pas takimit me kryeministrin Haradinaj, në një adresim para kabinetit qeveritar, Gjenerali Orr tha se partneriteti Kosovë-Iowa është më i miri që ka Iowa dhe ShBA-ja, dhe kjo falë popullit të Kosovës.
“Nuk kemi gjetur partneritet më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”, tha gjeneral majori Timothy Orr.
Duke folur për raportet e mira ndërmjet dy vendeve, Orr tha se janë në pritje të nënshkrimit të dy marrëveshjeve me qytetet simotra.
Iniciohet Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane
Themelimi i Zonës së veçantë Ekonomike Amerikane është iniciuar sot në mbledhjen e Qeverisë, pas miratimit të Grupit Punues për krijimin e kësaj zone. Grupi punues ka për detyrë të identifikojë legjislacionin, lokacionin, procedurat dhe të gjitha çështjet tjera relevante që mundësojnë themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane. Si rezultat Grupi punues do të përgatisë tërë dokumentacionin relevant që i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane. Ky inicim për Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është një hap i radhës që dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për partneritet me SHBA-të.
Për t’i nderuar këto raporte, në fillim të mbledhjes komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Timothy Orr, i është adresuar kabinetit qeveritar me një fjalë rasti në të cilën ka theksuar gatishmërinë e thellimit të partneritetit me Kosovën, duke e veçuar raportin me Kosovën, si raportin më unik që kanë Iowa dhe ShBA-ja me ndonjë vend tjetër.