Haradinaj: Kosova deri në vitin 2020 do të jetë anëtare e NATO-s

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 10:15 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj në ditë e dytë të konferencës, “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, tha se Kosova parashikon të anëtarësohet në NATO deri në vitin 2020 , raporton Ekonomia Online.

“Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO. Pra ne jemi me NATO-n. Ne duam NATO të qëndrojë në Kosovë. Ne kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne synojmë që brenda kësaj dekade pra, deri në vitin 2020 të arrijmë fazën e dialogut, pra ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”.

“Dëshirojmë që Kosova të përfshihet në programin për partneritet për paqe në bazë të fushave të specializuara ushtarake si dhe të ftohet për t’u bashkuar në Membership Action Plan, projektimi i stabilitetit NATO dhe Ballkani Perëndimor. Ne e shohim NATO-n si faktor të posaçëm dhe vendimtar të stabilitetit rajonal. Poashtu, e shohim si shumë të rëndësishme NATO-n për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.

“E shohim NATO-n si mundësi për të parandaluar dhe për t’u përballur më luftën e dezinformimit. E mendojmë NATO-n si ndihmesë për Kosovën, që Kosova të ndalojë së absorbuari siguri dhe të mund të ofrojë dhe të ndihmojë sigurinë dhe paqen në botë”.

Ai tha se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës e ndihmon këtë proces dhe njëkohësisht siguron të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Sipas tij, Kosova rolin e NATO-s e shohin në parandalimin e luftës dhe ekstremizmit, si dhe ndihmë për sigurinë dhe paqen në botë.

“Dinamikat rajonale në kohën që po jetojmë kanë ndikim vendimtarë në sigurinë rajonale dhe sidomos në Ballkan, duhet të respektojmë njëri tjetrin. Asnjëri nga ne nuk mjafton që të sigurojmë vetveten prandaj dhe duhet të kemi bashkëpunim të ndërsjellë. Sfidat që i veçojmë janë terrorizmi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, rreziqet ekonomiko- sociale, kibernetike. E shohim NATO-n si faktor të posaçëm të stabilitetit ndërkombëtarë, dhe parandalimin e radikalizmit, luftën e dezinformimit”.

Këto komente ai i bëri në konferencën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, e cila po zhvillon punimet në ditën e dytë.

 

Të ngjashme