Haradinaj për situatën në veri: Duhet koordinim i brendshëm dhe me partnerët ndërkombëtarë, Serbia nuk zbrapset me retorika boshe

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj thirrje partnerëve të sigurisë, posaçërisht Washingtonit, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të sillet në purputhje me situatën e krijuar. 

“I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar. Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale””, ka shkruar ndër të tjerash Haradinaj. 

Reagimi i plotë i Haradinajt: 

Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike.

Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponsorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.

Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.

I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar. 

Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.

Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!

Të ngjashme