Haradinaj: Pranimi i Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në NATO – Drafti në përputhje me Kushtetutën

Prishtinë | 28 Tet 2023 | 08:13 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka humbur kohë dy vjet me çështjen e Asociacionit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj vlerësoi se dakordimi i kryeministrit Albin Kurtit për draft-statutin është e arritur e madhe për Kosovën.

Ndonëse thotë se nuk e ka parë draftin e ri, Haradinaj është i bindur se i njëjti është në përputhje me Kushtetutën.

Ish-kryeministri thotë se janë humbur dy vjet të çmueshme, por beson se Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s.

“Vërtet është humbur shumë kohë, pra janë humbur mbi 2 vjet. Sikurse këtë qasje ta kishim përdorur në fillim me amerikanët edhe te situata me tabelat në veri e të gjitha çështjet e dialogut, me siguri sot do të mund të ishim anëtarë i NATO-s dhe ju e shihni situatën e sigurisë që nuk mund të neglizhohet. Do të ishte një e arritur e madhe. Unë e kam mirëpritur ecjen përpara, pranimin e Kurtit të draft-statutit të Asociacionit edhe besoj se është një veprim i duhur, por shumë i vonuar. Nuk e kam parë draftin konkret por realisht kanë qarkulluar parimet e draftit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pra edhe po besoj fuqishëm që përmbledhja e këtyre parimeve, ky draft-statut nënkupton se bëhet në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka mundur ta marrë edhe njohjen në të kaluarën.

“Ne realisht kemi humbur në kualitet tonin, kemi humbur në autoritetin e fuqinë. Me qeverisjen Kurti-Osmani-Konjufca kemi humbur vazhdimësi, por kjo që kemi nxjerrë, planin që njihet si franko-gjerman, që është i përkrahur nga amerikanët, realisht është punë e të gjithë neve. Ashtu siç kam punuar për ushtrinë e Kosovës, kam punuar intensivisht që edhe këtë planin franko-gjerman ta nxjerrim pas aprovimit të drejtën e hyrjes në NATO. Tani, nuk është se po humbim, porse kemi fituar atë që kemi mundur ta fitojmë në të kaluarën që do të ishte njohja. Megjithatë, ne po e nxjerrim të drejtën e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n e kjo është kryesore. Çështja e sigurisë është e para, sidomos ne që jetojmë në këtë rajon të trazuar. Nuk humbim, por për fat të keq nuk e fitojmë atë që kishim mundur ta fitojmë sikurse të kishim vepruar në kohë siç duhet”.

Haradinaj beson se anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të bëhet shumë shpejt, siç ndodhi me Finlandën e Suedinë. Këtë proces, Haradinaj e sheh të implementueshëm brenda dy vitesh.

“Unë besoj se nëse Kosova merr hapa të mençur e i bind aleatët. Ata e kanë mundësinë që me na dhënë një kontratë të shpejtë, siç ua dhanë Finlandës e Suedisë, pra ekziston mundësia. E di që duket ambicioze por dy vjet kohë me hyrë në NATO. Për atë po them se sikurse para dy vitesh të kishim qenë të mençur me i krye punët, sot do të ishim në NATO dhe sot nuk do të guxonte askush me i shku mendja me na rreziku. E vërtetë që është humbur kohë, por nuk bën me humb ende kohë sepse ekziston mundësia. Ekziston edhe një kontratë për mbrojtje mes dy vende ende pa hyrë në NATO. Sikur ta kishim bërë këtë kontratë me Amerikën dhe në atë kontratë të shkruhet: ‘Dy vendet marrin përsipër me mbrojt territorin e sovranitetin e dy vendeve;”, u shpreh Haradinaj për EO.

Haradinaj: Kurti duhet t’i kërkojë falje Kosovës për dy vite proces të gabuar, të tregojë çka përmban draft-statuti i Asociacionit

Kreu i AAK-së ka kërkuar që institucionet e Kosovës ta zbatojnë sa më parë Planin Franko Gjerman, në koordinim me ShBA-në dhe partneret evropianë.

Por, kreu i Aleancës ka ende drojë se kryeministri Kurti mund ta vonojë implementimin e planit, duke e vazhduar status-quon, për shkak të qasjes së tij populiste.

“Ajo që ka ndodhur të enjten është që Kurti është pajtuar me Amerikën e evropianët me i zbatuar ato që ka rënë dakord Kosova, mos me prit Serbinë, mos me u marr me Serbinë vetëm me u marrë me amerikanët dhe ta hapin kontratën me NATO-n. Pra kjo na intereson neve, kontrata për NATO”.

“Ekziston varianti i dytë që është tepër i rrezikshëm për neve, që Kurti kur të kthehet këtu që me ra në presion të kolegëve të tij edhe mos me vazhduar me zbatim. Me pasë pretekst që nuk e ka nënshkruar ai (Vuçiqi) edhe me na mbajt në status-quo. Nëse kthehemi në status-quo, sigurisht se mund të ketë sërish sulme dhe sigurt se do të kemi rreziqe të reja. Pra është tepër me rëndësi që mos me e kthyer prapa, por me e marrë guximin me ecë përpara”.

Haradinaj kërkon gjithashtu transparencë nga kryeministri Kurti se çka përmban draft-statuti i ri i Asociacionit, cilat janë rreziqet dhe të mirat e tij, të kërkojë miratimin parlamentit dhe duhet ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Kurti e ka mundësinë të vijë dhe të shpjegojë në parlament të vërtetën e dialogut, problemet, sfidat. Realisht, ai duhet t’u kërkojë falje Kosovës e Parlamentit për dy vite proces të gabuar, të tregojë pse ai ikë prej amerikanëve dhe evropianëve. Provojke me taktika të gabuara edhe na rrezikoi edhe besueshmërinë. Sikurse e dini ky nuk udhëton për Amerikë, nuk kem marrëdhënie të besueshme me ta. Ky duhet që t’i japë shpjegime Kosovës, duhet po ashtu që t’i tregojë Parlamentit se çka përmban ky draft-statuti i Asociacionit, ku janë rreziqet e tij, ku janë anët e mira nëse i ka. Edhe nuk mendoj që ky duhet me u fshehë, nuk ka arsye për t’u fshehur. Pra është në interesin e demokracisë të raportojë, pra mund të raportojë para aprovimit, por nuk është vonë edhe pas një aprovimi, me thënë: ‘Unë kam aprovuar në emër të Kosovës këtë”. Ia kërkon miratimin parlamentit dhe duhet ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Janë këto procedura që duhet që të kryhen”.

Kosova duhet të ketë kujdes, të mos përfshihet në hartën e luftërave

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në këtë intervistë për Ekonomia Online, thekson se lufta në Ukrainë është një shembull që tregon se kush janë Rusia, Serbia e aleatët e tyre. “Është një luftë vërtet e padrejtë, një agresion gjenocidal i Rusisë dhe ka shkelur çdo normë ndërkombëtare në një shtet të pavarur. Ne jemi të mahnitur me heroizmin e ukrainasve në mbrojtje, por edhe me mobilizimin e krejt botës përparimtare që po i jep përkrahje Ukrainës. Çështjet e sigurisë janë çështje të përjetshme edhe po të arrihet paqja nesër, pra me u çliru Ukraina, me përzanë Rusinë, e me u dobësua Rusia, nuk do të thotë që kanë vdekur rreziqet e sigurisë. E shohim tani luftën në Gaza, ose sulmin që ndodhi mbi Izraelin, një sulm i befasishëm ku humbën jetën shumë njerëz të pafajshëm”.

“Pra duhet që të bëjë kujdes Kosova, nuk është mirë që tash të përfshihet në hartën e luftërave. Nuk është i mençur ai popull që përfshihet në një hartë të luftërave pa interesin e tij, pa kërkesën e tij, pa dëshirën e tij. Duhet të bëjë kujdes që mos me e tërheq të tjerët se Rusia ka dëshirë me na tërheqë në këto probleme, në këto konflikte. Ne, edhe Amerika, edhe Evropa, kemi interes që Kosova të hiqet nga harta e pasigurisë sa më shpejt. Edhe nuk kemi nevojë që ne me ju dëshmuar të tjerëve sa terroristë që janë serbë, sepse kemi varre, kemi fëmije, kemi gra të dhunuar, ato i di një botë. Ne duhet vetëm që t’i tregojmë botës së sa të zotë jemi ne për të hyrë në NATO. Na duhet ta kryejmë pjesën tonë të punës”, deklaron Haradinaj. 

Ish-kryeministri Haradinaj thotë se Kosova nën këtë qeverisje ka dëmtuar shumë marrëdhëniet me aleatin kryesor – Shtetet e bashkuara të Amerikës.

“Jo pak po shumë, ne i kemi shumë të këqija marrëdhëniet me Amerikën, më të vështira të mundshme ndonjëherë. Ma të këqijat të mundshme. E kam paralajmëruar unë Kurtin e Osmanin herët, por këta zgjedhin këtë rrugën e adresave të tjera. Për çështje serioze vetëm atje është adresa e parë pastaj implementimi vjen përmes lehtësueseve të dialogut, por këta nuk e kanë kuptuara me kohë fatkeqësisht”.

Të ngjashme