Haradinaj: Prekja e kufijve do të nxiste tragjedi, në Berlin më vendosën kushte

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 11:08 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temë “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit”, ka thënë se prekja e kufijve do të nxiste vetëm tragjedi, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se nuk mund t’i pranojë kushtet që ka Serbia kur kjo e fundit nuk i pranon krimet që ka bërë në Kosovë.

“Nuk kemi interes me hap Kosovën e 17 shkurtit, e ka mbyll GJND-ja. Kushdo që thotë se përmes korrigjimit të kufijve arrihet paqja, e dinë se kjo çon në tragjedi e luftëra, edhe këtë po e bëjnë me vetëdije. Edhe ndërkombëtarët e dinë se kjo sjell tragjedi, nuk duam një luftë tjetër pas 20 vitesh. Ka bazë për një marrëveshje me Serbinë”, tha Haradinaj.

Haradinaj thotë se do një zgjidhje mes Kosovës e Serbisë.

“Jemi për zgjidhje, por nuk muj unë të shkoj prej Mehës, Krushës në Berlin edhe të thonë hiqe taksën. Unë kam pranuar të ulem me të zgjedhurit e Millosheviqit, që tani udhëheqin Serbinë, Vuçiqi e Daçiqi. Nuk bën të vazhdohet me rëndim të gjetjes. Pas letrës së Trumpit nuk kemi ndërmarrë masa të reja edhe pse i kemi pasur të gatshme. Problem keqtrajtimi i serbëve të Kosovës nga autoritetet e Beogradit dhe kësaj duhet me i dhënë zgjidhje. Koha na ka kushtuar dy palëve”, tha ai.

Haradinaj ka theksuar se në Samitin e Berlinit ka shkuar pa asnjë kusht. Ai ka thënë se nga përvjetori i një masakre është nisur për në Samit, ndërsa atje i janë vënë kushte, raporton EO.

“Jam kryetar i një populli të vogël më shumë probleme, edhe koha është problem më i madh i imi, por nuk guxoj pa shkuar deri në Krushë kur është përvjetori, sepse nëse nuk shkoj, ato nëna, ata familjarë më mallkojnë. Kur shkoj tek këto masakra, këta familjarë ankohen duke thënë se nuk është vendosur drejtësia, nuk janë dënuar ata që i kanë kryer këto, nuk janë kthyer ende trupat pa jetë nga Serbia, statusi ynë ende nuk është zgjedhur si familje të martirëve, dhe na qesin kushte se si të flasim me Serbinë. Unë shkoj në Berlin sepse duam të ecim përpara. Është gabim pozicioni edhe i Ëashingtonit edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, që t’ia pranoj kushtin  Serbisë për vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës”, ka thënë ai.

Sipas kryeministrit Haradinaj, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini, kanë diskutuar për ndryshim të kufijve.

“Ekziston si dyshim i bazuar se Rama dhe Thaçi kanë diskutuar për ndryshim të kufijve, së bashku me Mogherinin”, ka thënë Haradinaj në këtë tryezë.

Më pas ai ka thënë, së Mogherini nuk do të jetë më pjesë ndërlidhëse e dialogut pasi koha e saj ka përfunduar.

“Procesi i zonjës Mogherini nuk vazhdon më, pasi procesi i zgjedhjes është në vazhdim. Nuk ka mbete kohë për Moghenirin. Nuk kam asgjë personale me të siç mendojnë shumica, por për ççështjen e kufirit jam kundër dhe kush do që fol për kufij është armik i vendit tim. I kam thënë të gjithëve, si asaj si të gjithëve”, ka thënë në fund kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka ritheksuar edhe një herë se taksa nuk hiqet.

“Taksa nuk hiqet, nëse pret Serbia, presim edhe ne. Me presion nuk kryhet punë – kjo u dëshmua me taksën që gjithë ai presion nuk ka dhënë kurrfarë efekti”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk pranoj kushte te reja nga askush për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Të gjitha vendet e Kuintit përfshirë edhe Amerikën na përkrahin në qëndrimet tona”.

Haradinaj ka folur edhe për takimin që do të mbahet në Paris gjatë korrikut. Ai ka thënë se liderët kosovarë në këtë takim duhet të jenë unik.

Deri tash janë konfirmuar pesë pjesëmarrës në Samitin e Parisit, por Hatadinaj dëshiron që atje të ketë edhe pjesëmarrës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme