Haradinaj: Presioni i Beogradit ndaj pjesëtarëve të FSK-së, krim ndaj qytetarëve të Kosovës

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 09:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, tha se presioni i Beogradit ndaj pjesëtarëve të FSK-së është i pakuptimtë dhe shkelje e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.

Ai ka shtuar se Kosova ka ndërmarrë veprimet e nevojshme që kjo situatë të sqarohet, duke e quajtur këtë presion si krim ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Kam thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për çështjen e sigurisë, pas presionit të Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së. Ky presion është i pakuptimtë, i dalë prej kohës, dikush po ushtron krim ndaj qytetarëve të Kosovës, është kundër të drejtave të njeriut, kundër sigurisë së tyre. Ne kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme që të sqarohet”.

“Keni qenë dhe jeni në dijeni se për një kohë të caktuar raportohet edhe në media për sulme me armë, me mjete shpërthyese që rrezikojnë jetën e pjesëtarëve serbë të FSK-së, në të kaluarën kanë ndodhur në veri. Është raportuar edhe për kërcënime të tjera, por së fundmi ka rezultuar me kërkesën për lirim nga FSK-ja, të një numri të pjesëtarëve serbë të FSK-së, nga një rajon i Kosovës”.

Sipas kreut të ekzekutivit, tërheqja e ushtarëve serbë nga FSK-ja vjen si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë dhe të formave të ndryshme nga Beogradi, por që nuk cenon sigurinë në vend.

“Shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin e ushtruar direkt nga autoritetet e Beogradit zyrtar, qoftë gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi pra ndalimin, marrjet në pyetje dhe kërcënimet për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre deri te instrumentet tjera që janë përdorë përfshirë edhe mekanizmat tjerë të institucioneve paralele që operojnë në Kosovë të cilët kanë zbatuar këtë agjendë të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të pjesëtarëve të FSK-së, qytetarë serbë të Kosovës”.

“Kjo nuk rezulton me prishjen e sigurisë së përgjithshme në vend, nuk ka një prishje të sigurisë së përgjithshme në vend. Ajo që del nga ky takim janë edhe veprimet e Kosovës që janë të nevojshme në këtë situatë të krijuar. Të gjitha institucionet janë në nivel të punëve dhe veprimeve të veta lidhur me këtë situatë të fundit të krijuar”.

Tetë pjesëtarë serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë, për shkak të kërcënimeve dhe presionit gjithnjë e më të madh të Serbisë ndaj tyre, ndërkohë që lidhur me këto kërkesa, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura. Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve.

Të ngjashme