Haradinaj: Propozimi i BE-së e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e ka marrë mbështetjen e tij dhe të AAK-së.

Në një shkrim në facebook, ai ka thënë se kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e kësaj marrëveshje.

“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin.

Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral.

Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.

Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses.

Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike.

Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.

Të ngjashme