Haradinaj thotë se historia bëhet më e plotë me batalionin ”Atlantiku”

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 17:14 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se historia e Kosovës bëhet edhe më e plotë kur janë pjesë e saj edhe ata nga përtej oqeani që kontribuuan për Pavarësinë dhe Lirinë e vendit, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj në kuadër të 20-vjetorit të themelimit të batalionit ”Atlantiku”, ka thënë se Serbia po viktimizohet duke mohuar krimet që ka kryer, por ai ka thënë se bota duhet ta dijë që shqiptarët përjetuan gjenocid.

 “Për ato kohë të vështira të kombit tonë ka me u fol gjithmonë dhe brez pas brezi kur folët për ato kohë, kur folët për luftën në Kosovë në këtë historinë tonë të lavdishme edhe batalioni atlantiku e ka pjesë e vet dhe është pjesë e historisë. Historia jonë bëhet më e plotë sepse edhe ata që ishin larg atdheut u bën pjesë e historisë”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se Serbia po provon të ndryshojë historinë duke thurur mite e mohuar atë që kanë bërë në Kosovë.

“Një vendim i shenjtë që jo veç ju, por edhe gjithë kombi ynë ka me u krenu gjatë gjithë historisë sonë., Historia jonë është e dhimbshme, është martire. Janë thurë lavde e mite për Kosovës, për tokën tonë mirëpo mendoj se ajo që është me rëndësi ta kuptojmë ka zënë vend e drejta jonë, e drejta e shqiptarëve, kanë zënë vend dëshmorët, sakrifica e vëllezërve Bytyqi, por edhe vëllezërve të tjerë. Kjo është një traditë që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë. Po i kujtojmë flijimet tona, flijime plot dhimbje. Serbia sot po provon me mohu krimin që ka, po provon me u paraqit viktimë, po provon me ndërruar të vërtetën. Si atëherë edhe sot ju jeni të nevojshëm për Kosovën. Ne përjetuam gjenocid. Çdo vlerë e popullit tonë qoftë ajo e mijëra vjetëve, qoftë buka në magje”, tha Haradinaj.

Në fund kreu i Qeverisë ka bërë thirrje që të qëndrojnë shqiptarët bashkë, pasi që sipas tij disa punë të atdheut kanë mbetur pa përfunduar.

“Gjysma e popullit të Kosovës është përzënë nga vendi dhe gjysma është detyru me u fshehë, me jetu me torturë. Duhet me ia bë me dijë këtë botës. Po ashtu 20 mijë gra janë dhunu. Ne kemi qenë çdo herë këtu bashkë mos me leju dikë me tjetërsu dikë, të drejtën tonë, të drejtën për me na njoftë e keqja, gjenocidi, ajo që na ka ndodhë. Puna e atdheut tonë nuk është kry dhe nëse jemi bashkë kemi me kry me nder”, tha Haradinaj.

Ish – komandanti i batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, tregoi se si u bashkua ky batalion me luftëtarët e UÇK-së për ta çliruar Kosovën.

“Kur vendi ynë po digjej, po bëhej shkatërrimi i tij nga Serbia, shqiptarët në Amerikë e dhanë idenë për batalionin atlantiku. Ne luftëtarët e këtij batalioni u bashkuam me luftëtarët tjerë të UÇK dhe i qëndruam pranë popullit tonë. Lufta për liri ka edhe çmimin e saj të cilin ne shqiptarët e paguam shtrenjtë. Tani kohët kanë ndryshuar. Kosova është shtet i pavarur e demokratik. Ne do jemi për paqe por po dëmtuan të drejtat tona ne do përgjigjemi rreptë ndaj të gjitha padrejtësive”, tha Shehu.

Mark Gjonaj, deputet i komunitetit shqiptaro-amerikan, tha se Pavarësia e Kosovës është e paguar me gjak dhe lot. Ai kërkoi që të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë.   

“Lufta e Kosovës nuk ishte luftë e thjeshtë. Ishte luftë që filloi një shekull më herët, luftë për drejtësi. Ishte luftë që shqiptarët kudo luajtën një rol në të. Ishte një luftë ku të gjithë dhanë diçka. Disa dhanë më pak por disa i dhanë të gjitha. Pavarësia e Kosovës është e paguar me gjak, djersë dhe lot. Të gjithë ata kriminelë do të janë para drejtësisë këtu ose në botën tjetër. Ishalla Zoti e kombi iu shpërblen për veprat e tuaja, për sakrificat e tuaja”, tha Gjonaj, raporton EO.

Të ngjashme