Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, diskutoi harmonizimin e qëndrimeve me Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhur me Amendamentin e Projektligjit për Investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Mustafa theksoi, “Është e nevojshme të kemi balancë mes transparencës dhe efikasitetit, në mënyrë që të jemi sa më legjitim në miratimin e këtij Projektligji”.
Deputeti Fatmir Rexhepi, propozoi që të ndryshohet marrja e vendimit në Kuvend për këtë Projektligj, nga 31 të bëhet me 61 vota, sepse, në këtë formë që është, e gjymton legjitimitetin dhe e përcakton këtë Projektligj jo me interes të veçantë për vendin.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje, konfirmoi mbështetjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me amendamentin e Projektligjit për Investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Në fund kryetari Mustafa, kërkoi nga grupi punues i Projektligjit për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, që më së largu deri ne javën e ardhshme, të përfundojë raportin përfundimtar për këtë Projektligj.