Hasani: BE dhe SHBA mund të kërkojnë pauzë në dialog, kjo i konvenon Serbisë

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 22:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë ndaj dialogut, ndërmjetësuesit mund të kërkojnë ndërprerje të këtij procesi.

”Në qoftë se mbyllen dyert, sepse kështu po shkohet me mbyllje të dyerve, lehtësuesit mund të thonë bëni pauzë, bëni pauzë për disa vite ose muaj, pushoni dhe kur t’i ndërroni qasje, sepse pikëpamjet finale nuk thotë askush se duhet të ndërrohen, por kur t’i ndërroni qasjet që mund të flasim për diçka përmbajtjesore hajdeni”, tha Hasani në Rubikon me Adriatik Kelmendin.

Sipas Hasanit ndërprerja e dialogut i shkon në favor vetëm Serbisë.

”Kjo na dëmton neve shumë, na dëmton sepse Serbia është shtet i konsoliduar dhe për ne është problem anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. T’i mund të aplikosh, por pas shtatorit Serbisë i del afati për embargo për çnjohje dhe unë jam i bindur se Serbia tinëz ka lobuar për çnjohje, por pas 1 shtatorit nisë praktikën e çnjohjeve dhe nëse niset ajo është keq për neve”, tha Hasani.

Duke folur për mundësinë që Serbia të tërhiqet nga dialogu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se edhe në këtë situatë Kosovës do t’i mbetej faji, për shkak të mos respektimit të procedurave të lehtësuesve.

”Procesi i dialogut është procedurë, sikur kjo derë, ti mund të dalësh për dere por mund të dalësh edhe për dritare, por rregulli është që të dalësh për dere. Në qoftë se ne nuk i ndjekim procedurat e lehtësuesve të cilët po ndërmjetësojnë sipas një detyrimi që e kanë marrë nga Asambleja e Përgjithshme, atëherë neve na ngelet faji se nuk po duam të dialogojmë”, tha Hasani.

Të ngjashme