Hasani: Hapja e Ambasadës sê Shqipërisë në Kiev, brenda këtij viti

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani deklaroi sot gjatë konferencës me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba se “pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në Pak muajt e ardhshëm”.

Ministri bëri me dije se gjatë takimit me Kuleba kanë diskutuar për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si dhe për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

“Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë. Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje”, deklaroi Hasani.

Ministri i Jashtëm shtoi se “jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane dhe urojmë që vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të shtrojë rrugën për nisjen e tyre sa më parë. Jemi të gatshëm që të ofrojmë edhe përvojën tonë të deritanishme në këtë proces”.

Ai shprehu bindjen se me rrugën e saj euroatlantike, Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah të demokracisë, lirisë dhe vlerave evropiane.

“Uroj që Samiti i përbashkët midis vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës që fillon pas pak çastesh, i pari i këtij formati dhe që kemi nderin ta zhvillojmë në Tiranë, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës dhe popullin të saj”, përfundoi Hasani.

Të ngjashme