Prishja e koalicionit qeverisës, zgjedhjet e paralajmëruara dhe demarkacioni janë ndër çështjet më të përfolura në vend.
Të gjitha këto çështje kanë nxitur debate shumë të “nxehta” në mes liderëve pozitë-opozitë.
Në një prononcim për Indeksonline deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka theksuar se zgjedhjet e paralajmëruara janë bërë vetëm nga kryetari i partisë, i cili sipas tij ka dhënë një ide e cila pa qenë e përfshirë e gjithë partia nuk do të jetë funksionale.
“Kryetari i partisë, Kadri Veseli ka dhënë një mendim të vetin si kryetar dhe zgjedhjet mund të caktojë vetëm subjekti më i madh që e ka formuar përndryshe zgjedhjet i cakton subjekti, nëse ky subjekt dëshiron që të shkojë në zgjedhje dhe janë rrethanat ato të cilat caktohen në bazë të rregullores që kemi”, ka thënë Hasani.
Gjithashtu sipas tij në këtë kohë nuk ka zgjidhje të mundshme, prandaj “nuk jam për zgjedhje”.
Po ashtu Hasani ka theksuar se demarkacioni është çështje territori, pra çështje e shumë rëndësishme e vendit.
Ndërsa i pyetur rreth takimit të djeshëm në mes liderëve pozitë dhe opozitë, Hasani ka theksuar se është mirë që të ketë takime të tilla.