Haxhiu: Kosova ka mungesë të ekspertëve të së drejtës tatimore

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 14:10 | Nga

Në krahasim me shtetet e Ballkanit, Kosova ka probleme të theksuara në fushën e promovimit të sistemit tatimor dhe në krijimin e një tregu garues, ndërkaq institucionet shtetërore nuk po angazhohen mjaftueshëm në këtë promovim dhe në ngritjen e vetëdijes qytetare, në lidhje me rëndësinë e tatimeve. Këtë konstatim e ka bërë ekspertja për të drejtën tatimore evropiane dhe ndërkombëtare, njëherësh edhe ligjëruese në UBT, Miranda Haxhiu, në një intervistë dhënë për Radio Campus.

“Sistemi tatimor i Kosovës është një segment i rëndësishëm i shtetit, por i cili aktualisht ka mangësi të ndryshme, kjo si pasojë e mungesës së ekspertëve të kësaj fushe, por edhe për shkak se nuk i është dhënë hapësira e duhur dhe e nevojshme mediatike e shtetërore, me ç’rast na ka lënë të painformuar sa i përket rolit dhe funksionimit të këtij sistemi”, vlerësoi ajo.

Bazuar në statistikat aktuale, Haxhiu tha se Kosova ka vetëm 10 marrëveshje për eliminimin e tatimeve të dyfishta, ku sipas saj, në raport me shtetet e tjera, ky është një numër shumë i vogël dhe ndikon në hezitimin dhe në trembjen e investitorëve të huaj.

“Përparimi dhe vetëdijesimi në të gjitha nivelet arrihet përmes arritjes së marrëveshjeve bilaterale, të cilat mund të gjenerojnë zhvillim më të hovshëm ekonomik, si dhe ndikojnë në rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës”, theksoi ajo, për të shtuar se, nënshkrimi i çfarëdo traktati, në vete përmban njohje.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale do të ishte qasja më e mirë ndaj shteteve, të cilat nuk na kanë njohur, si dhe do të ndikonte në fuqizimin i marrëdhënieve me vendet, të cilat na kanë njohur, ndërkaq tërë kjo është një ndërlidhje e aspektit juridik dhe atij ekonomik”, tha Haxhiu.

Duke folur për problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova, Haxhiu tha se fushat e të drejtës në përgjithësi dhe në veçanti ajo e së drejtës tatimore është relativisht pak e zhvilluar dhe e eksploruar.

“E drejta tatimore është pak e eksploruar sepse mungojnë ekspertët, por edhe literatura adekuate”, theksoi ajo, për të shtuar se “si fushë e veçantë, ka perspektivë sepse gjeneron zhvillim ekonomik dhe mbledh pagesat për të plotësuar nevojat e shtetit dhe për të mbushur arkën shtetërore”.

Në kërkim të zgjidhjes së këtij problemi, Haxhiu tha se qeveria dhe pjesa tjetër e institucioneve përkatëse, duhet të marrin përgjegjësi dhe hapa konkret në përmirësimin e kësaj fushe të rëndësishme në aspektin ekonomik e juridik.

“Njohuritë mbi rëndësinë e tatimeve, nënshkrimi i traktateve ndërkombëtare për eliminimin e tatimit të dyfishtë, krijimi i planeve konkrete rreth orientimit të politikave fiskale, ulja e taksave dhe ngritja e vetëdijes qytetare, janë disa nga hapat që duhet ndërmarrë për një funksionim të duhur dhe për tërheqjen e investitorëve të huaj”, u shpreh ajo, nën arsyetimin se “investimet e jashtme dhe paratë e qytetarëve e mbushin arkën shtetërore”.

Sipas Haxhiut, legjislacioni në fuqi nuk ka ndonjë problem të theksuar, porse i mungon promovimi i normës relativisht të ulët të tatimit, si një gjë e favorshme, e cila ekziston në Kosovë.

“Problemi kryesor i Kosovës është qasja ndaj kësaj fushe dhe mungesa e një diplomacie ekonomike, sepse vendet e huaja nuk i kanë informacionet të cilat do të ishin më tërheqëse për sistemin tonë tatimor, si dhe ka mungesë të informacioneve e shkrimeve nga autorë të ndryshëm, sa i përket relievit tatimor të vendit”, theksoi ekspertja Haxhiu, për të shtuar se për dallim prej nesh, “shtetet e tjera, duke përfshirë edhe fqinjët tanë raportojnë vazhdimisht në databazën e njohur botërore, IBFD (International Bureau for Fiscal Documentation), mbi zonat e lira ekonomike, si dhe strategjitë për tërheqjen e investitorëve të huaj”.

Tutje, ajo shtoi se “kjo praktikë është e varfër në Kosovë, prandaj duhet të ndërmerren masat e duhura për krijimin e një politike ofensive për t’u rritur informacioni te ky aktoer i rëndësishëm, për të shërbyer si pikë reference për konsulentët dhe avokatët fiskalistë në mbarë botën”, u shpreh ajo, duke iu referuar IBFD-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme