Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputetët para se të votojnë për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet ta kujtojnë betimin që kanë dhënë si deputetë të Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se “Para se deputetët të votojnë marrëveshjen që i falë mbi 8200 ha, Malit të zi, duhet t’a kenë të qartë betimin që kanë dhënë, në fillim të kësaj legjislature”, raporton Insajderi.
Po ashtu së bashku me këtë, deputetja Haxhiu ka bashkangjitur edhe tekstin mbi të cilin të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë betuar në marrjen e këtij mandati.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e TËRËSISË TERRITORIALE dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”, thuhet në tesktin ku janë betuar 120 deputetët e kuvendit.
Të mërkurën me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca ku do të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi.
Po ashtu kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, kryeministri Haradinaj së bashku me Kadri Veselin dhe Behxhet Pacollin janë pajtuar me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Demarkacionin.