Mijëra njerëz nga e mbarë Kosova kanë marrë pjesë sot në varrimin e nënës së Heroit të kombit Agim Ramadani, Fetije Ramadani, në fshatin Zhegër të Gjilanit, në mesin e të cilëve kryetari Lutfi Haziri, sikurse edhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, sipas një njoftimi, kryetari Lutfi Haziri ka thënë se zonja Fetije ia dha kombit Agimin, e ky i fundit ia dha kombit të tij lirinë.
“Kjo ceremoni e varrimi është e dhimbshme, por po aq sa është e dhimbshme, është edhe e dinjitetshme, e një nëne, motre e gjyshe, e cila së bashku me bacën Hysni si bashkëshort dhe udhëheqës të kësaj familje të madhe Ramadani dhe Haliti, kanë dhënë shtatë fëmijë, e nipa e mbesa dhe këtij vendi nga kjo radhë ka lindur edhe heroi i kombit Agim Ramadani, i cili si lider lufte, bashkoi shqiptarët kudo që janë. Zonja Fetije ia dha kombit Agimin, e ky i fundit ia dha kombit të tij lirinë, me sakrificën e tij dhe me luftën e tij”, ka thënë Haziri.
Në njoftim shtohet se ai tha se të gjithë të pranishmit duhet të marrin diçka nga urtësia e saj, duke thënë se ky atribut është sinonim i një nëne shqiptare.
“Të gjithë e kemi parë veçorinë e saj të veçantë, që është urtësia e saj. Ajo ka qenë nënë e urtë, nënë me pak fjalë. Dëshiroj të kërkoj që të gjithë ne, që nga urtësia e kësaj nëne të madhe që u nda nga jeta, të marrim diçka nga ajo dhe të mos kthehemi bosh në shtëpitë tona. Urtësia e saj është sinonim i një nëne shqiptare”, ka potencuar Haziri.
Në emër të familjes Ramadani, ka folur edhe djali i të ndjeres, Jashar Ramadani, i cili ka falënderuar të pranishmit për nderin dhe respektin e treguar sot me masovitet në këtë ceremoni varrimi.
Fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni varrimi pati edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Hysen Berisha nga “Brigada 138 Agim Ramadani”.