“Helmimet ma kanë helmua jetën”

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

“Helmimet ma kanë helmu jetën”, thotë Arta M. “Ma merr mendja se arsyeja kryesore pse nuk mund të bëhem nënë është e lidhur me helmimet”.

Ajo është vetëm njëra prej shtatë mijë nxënësve e studentëve të cilët u helmuan me agjentin nervor sarin në pranverën e vitit 1990, thotë historiani Ilir Bytyçi, duke u ndaluar te zhvillimet e shumta politike para helmimeve. Kosovës i ishte suprimuar autonomia në 23 marsin e vitit 1989. Regjimi i Slobodan Milosheviqit nuk po zmbrapsej, përkundër formave të ndryshme të pakënaqësisë së shqiptarëve. Kosovës po i shtrëngohej laku në fyt.

“Masat e dhunës dhe represionit po rriteshin dita-ditës dhe ato përfshinin të gjitha poret e jetës”, thekson Bytyçi. “Kësaj radhe, vala e spastrimeve etnike do të merrte përmasa më të mëdha, siç ishte rasti me pranverën e vitit 1990, ku shteti serb në krye me kasapin e Ballkanit, Slobodan Milosheviq, do të bënte një akt makabër, duke helmuar shtatë mijë nxënës, duke filluar nga cikli parashkollor deri tek ai universitar”.

Arta M, atëherë nxënëse e shkollës së mesme në Ferizaj, nuk besonte se regjimi serb do t’i shënjestronte edhe fëmijët shqiptarë. Madje edhe ata të shkollave fillore, sikurse do të ndodhte në ditën e 6 prillit 1990 me nxënësit e shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj, shkruan KOHA.

Shokët e shoqet po binin një nga një përtokë në njërën prej paraleleve të klasave të pesta të shkollës më të madhe fillore jo vetëm në qytet, por edhe në Kosovë. Disa u shtanguan e të tjerët po alivanoseshin. Është një prej ditëve më të zeza në jetën e Afërditës, Avniut, Nebahates, Bekimit, Saberes, Sinaveres, Arbenit, Bukurisë, Teutës, Fizës, Xhylës dhe Arbenitës, përshkruajnë historiani Ramadani dhe mjeku Agim Bytyçi në librin e tyre “Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë në shekullin XX”.

Nxënësit dëshmonin se helmimi kishte ndodhur vetëm në aneksin e nxënësve shqiptarë në shkollën me klasë të ndara të serbëve. Autorët i paraqesin me lista emrat e mbiemrat e të gjithë shkollarëve të helmuar ferizajas.

Pranvera e kthesës së madhe

“Viti 1990 pa dyshim ishte viti i kthesave të mëdha për Kosovën. Ngjarjet që zhvilloheshin njëra pas tjetrës me shpejtësi marramendëse ishin fatale për popullatën shqiptare të Kosovës, e në veçanti për arsimin shqip. Pranvera e këtij viti ishte edhe më e rëndë, sepse ndodhi helmimi i nxënësve shqiptarë, kryesisht në shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës”, shkruajnë Ramadani e Bytyçi, mjeku i cili do t’i trajtonte nxënësit e helmuar. “Helmime pati edhe në Ferizaj. Ishte një dhunë e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë. Ndodhi ajo që mendja e njeriut dhe imagjinata e tij asnjëherë nuk mund ta mendonte. Pra, ndodhi ‘helmimi misterioz’ i nxënësve shqiptarë”, tregon ai.

Autorët e cilësojnë përdorimin e armëve kimike kundër fëmijëve shqiptarë akt gjenocidi, krimi e terrori shtetëror serb.

Të ngjashme