Heshtja e turpshme shtetërore dhe politike me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Arber Xhaferit

Prishtinë | 16 Gus 2022 | 09:37 | Nga Afrim Kasolli

E ulët dhe tejet e turpshme, se si dje me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Arbër Xhaferit, përfaqësuesit e institucioneve të shtetit, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, si dhe lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku nuk e gjetën mundin për ta përkujtuar me asnjë fjalë jetën dhe veprën e tij.

Ky i fundit mbase nuk ka pasur kohe sepse tash është i fokusuar te fillimi i kampionatit në Seria A dhe i shqetësuar se cila do jetë performanca e ekipit të zemrës së Berluskonit. Apo ka rënë pre këshillave të gabuara nga dikush se duhet neglizhuar rëndësinë e atij personaliteti, sepse gjatë viteve më dinamike të rezistencës kombëtare që rezultuan me çlirim nga zgjedha serbe, ai kishte afërsi me Hashim Thaçin dhe jo me Ibrahim Rugovën. Kjo është e vërtetë, por këtu Arbëri nuk është fajtor pse Rugova në atë kohë kishte vendosur të kishte një rolë pasiv politik. Këtë e dëshmon edhe dokumentari i BBC “Vdekja e Jugosllavisë” ku Rugova mungon plotësisht në atë dokumentar.

Kurse Albin Kurti dhe Glauk Konjufca në të kaluarën kanë pasur mendim tjetër për Arbrin. Por tash mbase i ka kapluar hipertrofia e Unit për fitoren e tyre mbi 50% së bashku me një politikane mediokre si Vjosa dhe tani mund të jenë pushtuar nga një lloj grandomanie politike sipas së cilës nuk kanë më asnjë pikë rëndësie mendimet dhe veprimtaria e Arbërit përballë pushtetit që e gëzojnë. Prandaj, nuk ia vlen që të humbet kohë më ngjarje të tilla. A nuk dëshmon ky pushtet se ne jemi më të mirët, më të mençurit dhe më të veçantit në historinë e shqiptarëve. Dhe nëse ia vlen diçka tash e tutje të përkujtohet nga historia jonë kombëtare, është rezultati i 14 shkurtit, sepse çdo ngjarje dhe personalitet tjetër, është irelevant në raport me referendumin e kësaj date “meta-historike”.

Dikush mund të thotë se nuk është kështu, ngase jo që nuk kanë dashur, por për shkak edhe të dinamikave ditore nuk kanë mundur. Nuk e përjashtoj këtë mundësi. Por për këtë arsyeje përfaqësuesit e shtetit e paguajnë stafin e tyre. Dhe ky staf nuk duhet të jetë vetëm sa për të dalë në darka “orgjike” me biznesmen, por për t’u ndihmuar atyre për t’i shënuar edhe këto ngjarje historike. Por tashmë ata edhe stafin e kanë rekrutuar pa vetëdije historike, sepse edhe shpura që e kanë duhet ta shoh pushtetin e tyre si themelues të historisë sonë, ku asgjë e rëndësishme nuk është thënë dhe nuk ka ndodhur para ardhjes së tyre në pushtet.

Në përgjithësi 10 vjetori i vdekjes së Arbrit kaloi ashtu siç nuk duhej të kalonte. Asnjë akademi përkujtimore të organizuar në mënyrë institucionale dhe shtetërore. Ndërkaq nga PDK e përkujtuan sa për sy e faqe me nga tre rreshta në FB. Askush nuk u kujtua që ta veçonte rolin specifik që dikur kishte ai me ish-liderin e kësaj partie Hashim Thaçi. Madje se si ishte një lloj mentori politik i tij.

Mbase pikërisht ky fakt nuk iu ka pëlqyer, sepse ata që e përkujtuan atë gjithmonë e kanë parë vetën vetëm si instrumente të pushtetit të Hashim Thaçit dhe kurrë si të barabartë më të, prandaj mund t’iu jetë dukur e papranueshme për ta, që ai i cili vetëm iu kishte dhënë urdhra këtyre, dikur ishte instruktuar dhe kishte marrë këshilla politike nga një mendimtar.

Përfundimisht, kjo sjellje e ulët politike ndaj jetës edhe veprimtarisë komplekse të Arbërit dëshmoi se sa kishte të drejtë ai kur pohonte se një nga testet më të rëndësishme për pjekurinë politike të një kombi mbetet aftësia e tij “se sa është në gjendje t’i ruajë vlerat e veta, t’i mbrojë mendimtarët e vet”.

Dhe qasja që dje e dëshmuan si përfaqësuesit e institucioneve shtetërore ashtu edhe partitë politike në përgjithësi ndaj Arbërit, dëshmon se sa larg këtij ideali jemi.

Të ngjashme