“Distracted Boyfriend”, ose “i dashuri që kthen kokën pas”, është një nga fotografitë më të njohura në historinë e internetit.
Bashkë me meme si “Success Kid”, “This Is Fine” dhe “One Does Not Simply”, ajo është bërë pjesë e kujtesës së viteve të para të rrjeteve sociale.
Fotografia, ku një burrë kthen kokën për të parë një grua tjetër ndërsa e dashura e tij e shikon me zemërim, u realizua në vitin 2015 në Katalonjë të Spanjës.
Fotografi spanjoll Antonio Guillem e kishte realizuar fillimisht si një fotografi të zakonshme për përdorim komercial.
Vetëm dy vite më vonë, fotografia u shndërrua në një fenomen global në Facebook dhe Twitter, duke u përdorur kryesisht për të ilustruar ndryshimin e papritur të interesit, tundimin apo tradhtinë, transmeton Klankosova.tv.
Modelet që shfaqen në fotografi kishin bashkëpunuar prej vitesh me Guillem, por vendosën të ruanin privatësinë e tyre. Për publikun ata njihen vetëm me emrat Mario dhe Laura.
Njerëzit ndalonin në rrugë dhe qeshnin me ta.
Laura tregoi në vitin 2017 për The Hollywood Reporter se xhirimi i fotografisë i kishte mbetur në kujtesë si një eksperiencë argëtuese.
Ajo kujtoi se njerëzit ndalonin në rrugë dhe i shikonin ndërsa pozonin për skenat.
Problemi ishte se ajo duhej të mbante një shprehje serioze në fytyrë, edhe pse e kishte të vështirë të mos qeshte.
Edhe Mario pranoi se në fillim ndihej disi në siklet, pasi kalimtarët i shikonin dhe qeshnin ndërsa ai duhej të bënte shprehjen karakteristike të fotografisë.
Megjithatë, pas pak kohe ai u mësua me situatën dhe vazhdoi punën normalisht.
Nuk e dinin se fotografia ishte bërë virale
Laura mësoi për famën e fotografisë kur miqtë e saj nisën ta etiketonin në postime në rrjetet sociale.
Më pas, fotografi Antonio Guillem filloi t’u dërgonte kërkesa për intervista që merrte për shkak të fotografisë. Pikërisht atëherë ajo kuptoi se imazhi ishte kthyer në një fenomen viral.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Marion. Njerëzit filluan t’i dërgonin meme me fotografinë dhe t’i mbushnin rrjetet sociale me postime. Madje, sipas tij, i shkruanin edhe persona me të cilët nuk kishte pasur kontakt prej vitesh.
Pavarësisht famës së jashtëzakonshme të fotografisë, Mario dhe Laura vendosën të mos zbulojnë identitetin e tyre.
Kjo bëri që popullariteti i memes të mos përkthehej në njohje masive të tyre në rrugë. Laura tregoi se njerëzit zakonisht nuk e njohin, përveç rasteve kur ajo bën qëllimisht shprehjen karakteristike të memes.
Madje, disa miq i kanë thënë se një vajzë në fotografi u ngjante shumë asaj. Përgjigjja e saj ka qenë gjithmonë e njëjtë: “Po, ajo jam unë!”
Kështu, edhe pse fytyrat e tyre janë parë miliarda herë në internet, Mario dhe Laura kanë arritur të ruajnë anonimitetin dhe jetën private.