Historia rozë që po trondit Qeverinë Rama

Tiranë | 28 Tet 2018 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Fatmir Xhafaj tha se u largua nga qeveria, meqë është “njeri i lirë”. Koncepti i tij për lirinë nuk e kalon foton në paradën e 1 majit me Enver Hoxhën, por gjithsesi kjo farë lirie i cingërroi nervat Edi Ramës.

Ky i fundit e mësoi që Fatmiri qenkërsha “njeri i lirë”, kur po u fliste myzeqarëve të urtë për dëmet e kumarit. Sak në këtë zonë të përunjur nga beu dhe sëra e Lenka Çukos, ai bëri moralistin duke thënë: “Kur hyn në një parti nuk i bën do të gjitha. Unë që kur hyra në parti hoqa dorë nga ideja që mund të shkoja prapë në plazh nudo. Nuk shkoja dot më, se mbaroi. Po ka dhe të tjera, diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe kemi ndonjë shok që thotë: “Jam njeri i lirë.”. Jo mo, se nuk je njeri i lirë, je i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je i lirë të dalësh atje e t’i gjuash me gurë shtëpisë, ku jemi bashkë, se nuk ka kuptim. Nëse do të dalësh t’i gjuash me gurë shtëpisë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë.”

Ndërkohë makina e propagandës e qeverisë po flet për një histori rozë, thënë copë, histori dashurie, e cila po shkakton gjithë këto lëvizje dhe tollovi në qeverinë e Edi Ramës.

Nuk ka më mirë për këtë regjim që ta justifikojë krizën e vet, me shtrojet e shtratit, se sa me punët e drogës, krimit të organizuar, dakove me duart akullore. Madje, pritet dhe një tjetër largim nga qeveria, në mënyrë që të vendoset në vend morali i ri i Rilindjes. Rama, tashmë si një babë shpirtëror konservator nuk lejon më asnjë njeri të jetë i lirë, madje as të bjerë në dashuri pa i lypur lejen.

Kjo është metamorfoza e këtij udhëheqësi, i cili e nisi cullak në plazhet e Francës dhe po e mbyll prapanik si Pilo Peristeri në Kombinatin e Autotraktorëve.

Të ngjashme