Historiani britanik: EULEX-i duhet të mbyllet, Kosova të rishikojë marrëdhëniet diplomatike pas Hagës

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë historiani britanik James Pettifer, duke vënë në pikëpyetje nëse misione si EULEX-i kanë ende rol në vend.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer, ligjërues i Historisë së Ballkanit në St Cross College të Universitetit të Oksfordit, ka thënë se Kosova nuk duhej ta refuzonte krijimin e Dhomave të Specializuara, por duhej të negocionte ndryshe kushtet mbi të cilat ato u themeluan.

Ai ka argumentuar se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së mund ta vështirësojë edhe më tej pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa ka bërë thirrje që reagimi ndaj tij të jetë politik dhe institucional.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte.

Pettifer ka thënë se aktgjykimi është tashmë një fakt juridik dhe se procesi i apelit do të vazhdojë, por sipas tij, serioziteti i kësaj ngjarjeje për Kosovën kërkon rishikimin e marrëdhënieve të zakonshme diplomatike dhe politike.

“Natyrisht, aktgjykimi është aty dhe procesi i apelit do të nisë. Edhe pse nuk e dimë se çfarë forme do të marrë dhe as sa do të zgjasë, ai proces do të vazhdojë pavarësisht gjithçkaje.

Por, mendoj se natyra e kësaj ngjarjeje është shumë serioze për Kosovën dhe se marrëdhëniet e zakonshme diplomatike dhe politike duhet të rishikohen”, ka thënë Pettifer.

Sa i përket misioneve ndërkombëtare, ai ka bërë dallim mes NATO-s dhe misioneve evropiane.

“Është e qartë se marrëdhënia me NATO-n është thelbësore dhe ajo nuk duhet të përfshihet në këtë çështje. Dhe, mësa di unë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në procesin e Dhomave të Specializuara.

Por, situata me Evropën është krejt ndryshe. Siç ndoshta e keni parë edhe në X dhe në rrjete të tjera sociale, shumë njerëz me përgjegjësi mendojnë se organizata si EULEX-i, OSBE-ja dhe të tjera duhet të mbyllen. Ato i përkasin së kaluarës.

Personalisht, mendoj se ky është drejtimi i duhur, veçanërisht sa i përket misionit të EULEX-it”, ka deklaruar ai.

Pettifer ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe se misionet ndërkombëtare ndodhen në vend me pëlqimin e institucioneve të Kosovës.

“Po. Kosova është shtet sovran dhe i njohur. Dua të them se – mësa e kuptoj unë – këta njerëz janë në Kosovë vetëm me pëlqimin e Qeverisë.

NATO-ja është në një pozitë tjetër, por, siç e thashë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në procesin [e Dhomave të Specializuara].

Por, veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë, kur qartazi është një mjet për interesat e Serbisë.”

Pettifer: Kosova duhej të negocionte ndryshe për Specialen

Historiani britanik ka folur edhe për mënyrën se si u krijuan Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova nuk duhej ta refuzonte themelimin e tyre, por duhej të negocionte për kushtet.

“Mendoj se këtë e ka vënë në dukje edhe Dr. Daniel Serwer në Uashington, i cili, prej kohësh, është njohës i rajonit dhe i Kosovës. Ai ka bërë një analizë shumë të mirë të mënyrës se si u përcaktuan kushtet fillestare të funksionimit të Dhomave të Specializuara – në një formë që nuk parashihte asnjë kontroll nga Qeveria [e Kosovës].

Kështu, në praktikë, Dhomat e Specializuara mund të manipuloheshin nga interesa të jashtme.”

Pettifer ka theksuar se, sipas tij, Kosova nuk kishte nevojë të thoshte “jo” ndaj krijimit të një tribunali për krimet e luftës.

“Nuk ishte e nevojshme të thoshte ‘jo’. Duhej të negocionte në mënyrë profesionale se cilat do të ishin kushtet.

Unë isha në favor të përfshirjes së një tribunali për krimet e luftës, sepse të gjitha vendet e tjera të rajonit e kishin një të tillë dhe nuk do të ishte e përshtatshme që Kosova të mos e kishte.

Por, kjo u bë në një mënyrë që nënkuptonte se Kosova nuk kishte kontroll mbi procesin, dhe ky problem daton që nga fillimi.

Unë ua kam vënë në dukje këtë edhe diplomatëve të Kosovës në Londër, por ata nuk kanë menduar njësoj.

Nuk besoj se e kuptonin vërtet se cili mund të ishte problemi.”

Ai ka përsëritur se problemi, sipas tij, nuk ishte vetë krijimi i gjykatës, por mënyra në të cilën ajo u themelua.

“Jo, nuk mendoj se çështja ishte nëse Kosova duhej ta refuzonte Gjykatën. Nuk ishte ky problemi. Çështja ishte nëse ajo ishte krijuar mbi baza të drejta dhe profesionale.”

Pettifer: Aktgjykimi mund ta vështirësojë pajtimin me Serbinë

Pettifer ka thënë se aktgjykimi mund ta kthejë prapa procesin e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Jo, nuk mendoj se mundet. Verdikti tashmë është marrë dhe, siç besoj se e keni parë, në Kosovë ka protesta të mëdha kundër tij.

Kjo do ta bëjë shumë të vështirë – ndoshta edhe të pamundur – arritjen e çfarëdo kompromisi me Serbinë për çështje të caktuara.”

Sipas tij, kjo lidhet me perceptimin për rolin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Sepse ekziston përshtypja se bashkësia ndërkombëtare nuk është neutrale. Kjo është një gjykatë ndërkombëtare dhe, sidomos për shkak të gjatësisë së dënimeve dhe cilësisë shumë të dobët juridike të disa pjesëve të aktgjykimit, njerëzit nuk do ta respektojnë atë. Dhe kjo, mendoj, do të ndikojë shumë edhe në proceset normale diplomatike.”

Pettifer: Aktgjykimi është pjesë e historisë, por nuk ndryshon argumentin themelor për UÇK-në

I pyetur nëse aktgjykimi ndryshon mënyrën se si do ta shkruante sot historinë e UÇK-së, Pettifer ka thënë se ende duhet të publikohen materiale të plota të procesit gjyqësor.

“Ky aktgjykim është pjesë e historisë. Por, nuk mendoj se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje derisa të publikohet teksti i plotë i procesit gjyqësor, dhe në veçanti ajo që ka ndodhur në seancat e mbyllura.

Gjykata, gjithashtu, duhet t’i bëjë të ditura burimet mbi të cilat i ka mbështetur pretendimet e saj, të cilat, në shumë raste, mësa kam mundur të shoh gjatë procesit gjyqësor, nuk janë dhënë.”

Ai ka thënë se aktgjykimi, sipas tij, nuk duhet të ketë peshë në mënyrën se si kujtohet lufta në Kosovë.

“Nuk mendoj se duhet të ketë fare peshë, veçanërisht sepse nuk ka të bëjë me vetë luftën.

Natyrisht, ky është një sulm ndaj UÇK-së – gjë që serbët dhe rusët e kanë dashur gjithmonë. Fillimisht u përpoqën përmes akuzave të pabaza të Dick Martyt. Për fat të mirë, ato akuza nuk çuan askund në sistemin gjyqësor.

Por, më pas u gjetën akuza të tjera, të cilave mund t’u jepej më shumë peshë.”

Pettifer: Kosova ka bërë punë të mirë në dokumentimin e historisë

Pettifer ka thënë se Kosova ka bërë një punë të mirë në dokumentimin e historisë së saj, duke theksuar se gjatë viteve të fundit është publikuar shumë material për UÇK-në.

“Mendoj se ka bërë një punë mjaft të mirë. Është botuar shumëçka që prej kohës kur e shkrova librin tim, i cili u botua gati 20 vjet më parë. Mendoj se ai u botua si një lloj historie e përgjithshme e UÇK-së.

Sot dihet shumë më tepër për çështje të caktuara, por nuk mendoj se ajo që kam parë, e ndryshon argumentin themelor: se, në rrethanat e asaj kohe, një lëvizje e armatosur e rezistencës ishte e pashmangshme dhe ishte pjesë e asaj që prodhoi kriza në Jugosllavi.”

Në fund, ai ka thënë se Kosova duhet ta shmangë dhunën, ndërsa ka vlerësuar se protestat janë të rëndësishme.

“Mendoj se duhet shmangur dhuna, sepse dhuna në rrugë do t’i dobësonte shumë argumentet morale kundër këtij procesi gjyqësor, që unë e konsideroj të padrejtë. Por, natyrisht, protestat janë të rëndësishme dhe shpresoj të jenë të mëdha.

Megjithatë, mendoj se çështja kryesore është se çfarë do të bëjë Qeveria e Kosovës. Reagimi i [kryeministrit], zotit [Albin] Kurti, më duket disi i dobët. Do të shohim se çfarë do të bëjë konkretisht. Është ende herët, por Qeveria duhet ta trajtojë çështjen e legjitimitetit të organizatave si EULEX-i dhe nëse ato vazhdojnë të jenë të nevojshme në Kosovë.

Mendoj se shumica dërrmuese e njerëzve, ndoshta edhe disa serbë të Kosovës, do të donin t’i shihnin këto misione të përfundonin.

Kjo, mendoj unë, është çështja kryesore me të cilën duhet të përballet zoti Kurti.

Nëse OSBE-ja ka ende ndonjë rol të dobishëm, nuk e di. Nga sa di unë, duket se është një organizatë shumë e kushtueshme, e cila në shumicën e rasteve mbledh të dhëna që tashmë i dimë shumë mirë. Pra, të gjitha këto çështje mund të rishikohen.

Por, për këtë do të nevojitet një qëndrim i qartë dhe i bashkuar. Siç kam shkruar edhe në X, është e rëndësishme që elita e Kosovës të punojë së bashku dhe të zhvillojë politika të forta dhe të përbashkëta ndaj këtyre organizatave.”

Të ngjashme