Hoti kritikon Kurtin: Kur nuk ke rezultate, shpik armiq dhe prodhon justifikime

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë një interviste nuk arriti të përmendte asnjë projekt serioz dhe madhor që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se Kurti u kthye te zanati i tij i vetëm  prej së është ën politikë: : propaganda, mashtrimi dhe fajësimi i të tjerëve.

“Por propaganda nuk mund t’i fsheh milionat e shpërndara me tenderë njëburimorë. Nuk i arsyeton kontratat e negociuara në WhatsApp. Nuk i zhduk dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike”, ka shkruar Hoti.

Postimi i tij i plotë:

Gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohen pas gjithë këtyre viteve në pushtet. Përgjigjja ishte zbuluese për qeverisjen e tij të zbrazët, por edhe dëshpëruese: nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz dhe madhor që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Rrjedhimisht, u kthye te zanati i tij i vetëm prej se është në politikë: propaganda, mashtrimi dhe fajësimi i të tjerëve.

Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime.

Por propaganda nuk mund t’i fsheh milionat e shpërndara me tenderë njëburimorë. Nuk i arsyeton kontratat e negocuara në WhatsApp. Nuk i zhduk dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Auditori i Përgjithshëm ka referuar 80 lëndë në Prokurori bazuar në gjetjet e auditimeve në institucione të ndryshme.

Koha e propagandës po mbaron. Koha e llogaridhënies po afrohet. Dhe për dallim nga konferencat për shtyp, para ligjit nuk mjafton propaganda.

Të ngjashme