Hoti: Pas pandemisë, institucionet duhet të angazhohen për zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit

Prishtinë | 07 Sht 2020 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se zbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit ka ngecur në praktikë.

Ai në emisionin Raport të KTV-së ka thënë se kjo ka ardhur për shkak se institucionet përgjegjëse nuk kanë pasur angazhimin e duhur për zbatim të tij.

Hoti tutje ka shtuar se me të përfunduar pandemia, institucionet duhet të angazhohen në zbatimin në tërësi të këtij ligji.

“Më vjen keq që ligji për kontrollin e duhanit pavarësisht që ka qenë iniciativë e mirë, në vitet vijuese ka pasur ngecje për shkak të mos angazhimit të duhur të nivelit politik apo edhe ato të ekzekutimit të politikave dhe monitorimit të zbatimit të ligjit të duhanit. Ligji për kontrollin e duhanit tash që është pandemia është duke u zbatuar, dhe kjo veç për shkak të masave që janë ndërmarrë për mospërhapjen e virusit. me të përfunduar pandemia ne si institucionet duhet t’i qasemi zbatimit të këtij ligjit, gjithashtu duhet të punohet në ndërgjegjësimin e popullatës që të mos konsumohet duhani”, ka thënë ai.

Ndërkaq ai tutje ka shtuar se do të ishte e dobishme mbledhja e informacioneve sesa pacientë konsumues të duhanit janë pranuar në spitale, për koronavirus. Ndryshe prej spitalit të Prizrenit, Hoti thotë se mbledhja e këtyre të dhënave nuk është bërë edhe në QKUK për shkak të fluksit të madh të pacientëve.

“Të dhënat janë pjesë e anamnezave mjekësore me rastin pranimit të pacientit, personeli i bënë. Ai thotë se në QKUK nuk është bërë mbledhja e informatave se sa pacientë të pranuar me COVID e konsumojnë duhanin, për shkak se ka pasur fluks më të madh të pacientëve. Sigurisht kjo është shumë e rëndësishme pasi edhe politikat shëndetësore ndërtohen duke u bazuar në dëshmi shkencore dhe në të ardhmen kjo mund t’i ndihmojë edhe IKSHPK në hartimin e politikave të qarta sa i përket duhanpirjes dhe zbatimit të ligjit”, ka thënë ai.

Të ngjashme