Kosova nuk mund të konkurrojë me vendet e zhvilluar me miniera ose pasuri nëntokësore, por me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në fusha të cilat janë unike.
Kështu ka thënë presidenti i Kolegjit ESLG, Visar Hoxha, duke iu drejtuar studentëve të sapodiplomuar nga ky institucion i arsimit të lartë.
“Përparësia konkurruese e Kosovës nuk është në minierat ose resurset nëntokësore. Mendimi ynë se jemi të pasur nuk qëndron. Përparësia jonë konkurruese qëndron në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në fusha të cilat janë unike dhe asnjë shtet nuk i ka”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, për këtë duhet marrë shembuj nga shtete të vogla të suksesshme, sikur që është Sllovenia.
“Mos pyet se çka shteti mund të bëjë për ty, por çka ti mund të bësh për shtetin. Kjo është thënia nga ish-presidenti i ShBA-së, John Kennedy,që ma ka inspiruar gjatë tërë jetës dhe edhe në themelimin dhe zhvillimin e ESLG-së. Unë kam vendosur që kontributin tim simbolik të jap duke shfrytëzuar kapacitete të shkëlqyeshme njerëzore në ESLG me të cilat do t’i kontribuojmë shtetit të Kosovës”, ka thënë mes tjerash, themeluesi i ESLG-së.
Në ceremoninë e sontme të diplomimit merrte pjesë dhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ligjëruese në këtë kolegj.
Duke iu drejtuar 62 studentëve të cilët morën diplomat në drejtime si Juridik, Menaxhim i Patundshmërive dhe Infrastrukturës, Menaxhim i Energjisë dhe E Drejta Evropiane Ekonomike, Hoxha tha se me të diplomuar si ta sot Kosova është në rrugë të mbarë për t’u bërë pjesë e vlerave civilizuese euro-atlantike.
“Ju gjatë studimeve në ESLG keni pasur miq, mbështetje pa rezervë dhe kolegë, të cilët u mishëruan me legjislacionin evropian dhe ndërkombëtar, dhe tashmë u bëtë edhe ju pjesë e botës juridike me bazë të fortë për përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë evropian”, u shpreh Hoxha.
“Ju keni në dorë mundësinë për të ndryshuar veten, familjen dhe vendin tuaj. Dhe ne presim nga ju. Ne jemi të angazhuar për reforma, të cilat BE-ja tashmë i ka vlerësuar në lëmin e sundimit të ligjit, komponentë kryesore për proceset euro-integruese dhe euro-atlantike, dhe ngritje të mirëqenies si parakusht për investime vendore dhe ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Sipas ministres Hoxha, përgatitja akademike e këtyre studentëve është vazhdim i vizionit të gjeneratave të tëra të popullit tonë për arsimim, ngritjen e vetëdijes dhe krijimin e shtetit.
Studentëve iu drejtua dhe Ilir Morina, ndër profesorët e parë prej themelimit të këtij kolegji, të cilin ai e quajti “një margaritar i vogël”. Ai tha se ndihet krenar me suksesin e gjeneratave të reja që do të kontribuojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.
Edhe profesoresha Njomza Zejnullahu tha se është e lumtur që po sheh të diplomohen këta studentë që kanë punuar shumë gjatë tri viteve të studimeve. “Synimi ynë është i përbashkët – e ardhmja e studentëve”, u shpreh ajo.