Hoxha: Zgjedhjet s’janë zgjidhje për vizat

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian do të zvarritet edhe më tej nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu po vlerëson ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila disa herë kishte premtuar heqjen e vizave me BE-në. Hoxha ka deklaruar për “Zërin” se ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues të vendit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo për gazetën.

Hoxha: Kemi mundur të bëjmë më shumë për vizat

Mirëpo pavarësisht kësaj Hoxha ka theksuar se ende shpreson se mund të ketë një moment për heqjen e vizave, çka do të ishte sinjal i qartë i përkushtimit të Ministrisë që ajo ka udhëhequr për dy vjet.

“Po, kemi pasur dhe shpresojmë të kemi momentumin e vendimit pozitiv për liberalizim, i cili do të ishte rikonfirmim i angazhimit tonë gjithëpërfshirës dhe konsekuent për t’i zbatuar 95 kushtet për liberalizim, duke qenë interes madhor, interes i konfirmuar nga të gjitha forcat politike në të gjitha përbërjet e deritashme qeverisëse”, ka shtuar ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme