Hoxhaj: Nga dialogu Kosova të presë vetëm njohje të ndërsjellë, Bislimit t’ia ndërrojmë literaturën

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka kritikuar deklaratën e Besnik Bislimit, i cili mbrëmë tha se qeveria ka një qëllim tjetër në dialog, e ajo është të negociojë marrëveshje që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ishin të qarta mesazhet që i dha sekretari I Shtetit Anthony Blinken, ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier dhe I Dërguari I Posacëm Eskobar, për marrëveshje që con në njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sekretari i Shtetit Blinken tha në fillim të janarit që politika e SHBA-së është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e Ambasadori amerikan Hovenier e përsëriti pardje dhe i Dërguari i Posaçëm Eskobar dje, por befas, mbrëmë, Besnik Bislimi tha se qeveria ka një qëllim tjetër në dialog: ajo po negocion marrëveshje që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka treguar një fakt historik, për një marrëveshje të ngjashme të bërë nga Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1939.

“Dija dhe imagjinata jonë është e varfër për ta kuptuar këtë politikë. Andaj, ja vetem një fakt historik: Pakti i Mossulmit në mesi të Molotov-Ribbentrop, që ishte nënshkruar mes Reichut gjerman të Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, me 23 gusht të vitit 1939 nga ministrat e jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe Vyacheslav Molotov. Por, kjo marrëveshje nuk e parandaloi Luftën e Dytë Botërore, me pasoja katastrofale për njerëzimin.”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj, ka thënë se nëse BE-ja nuk e di si të veprojë me deeskalimin e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë, ndoshta ta thërrasin Besnik Bislimin si kryenegociator.

“Sot, Kosova duhet të presë nga ky proces vetëm njohje të ndërsjellë! Por, nëse BE s’di çfarë të bëjë, do i sygjeroja që ta ofrojnë këtë skenar për deeskalimin e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe z. Bislimi të jetë Kryenegociator! Ose, z. Bislimi duhet t’ia nderrojmë literaturën, se nuk po e di se çka po lexon kështu!”, ka shkruar Hoxhaj.

Në fund të shkrimit të tij, ai tha se më e drejtë e duhur është të paraqitet platformë për dialog në Kuvend, dhe sic u shpreh ai, jo Qeveria të shkojnë kështu pa plane, pa ide, pa afat kohor dhe pa asnjë qëllim!.

Të ngjashme