Hyseni pasi Kurti refuzoi takimin me Vuçiqin: Këto duhet të thuhen në tavolinën e bisedimeve e jo para kamerave

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Ish-Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, para mediave në Bruksel, se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Hyseni në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se e mirëpret këtë deklaratë të tij, mirëpo sipas tij, kjo nuk mjafton pasi këto duhet të thuhen në tavolinën e bisedimeve dhe jo para kamerave.

“E mirëpres atë që e ka thënë sot në Bruksel, por nuk mjafton ajo duhet të thuhet në tavlionë, sepse nuk zgjidhet statusi i Kosovës, me gjithëe respektin në komunikim me gazetarët apo para kamerave, por këto cështje zgjidhen në tavolinë të bisedimeve, e aty duhet të thuhen e pastaj të thuhen kamerave)”, tha Hyseni.

Ndërsa Kurti sot para mediave në Bruksel tha se nuk mund të marrë pjesë në një takim të cilin nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kurti ka nisur të mërkurën takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Të ngjashme